Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë përsëritur thirrjet e tyre për Rusinë që menjëherë ta lirojë nga burgu politikanin opozitar, Aleksei Navalny, pasi ai tha se është duke vuajtur nga dhimbjet e forta në shpinë dhe se autoritetet e burgut nuk kanë bërë asgjë për t’i ndihmuar.
Në një mesazh të publikuar në Instagram të premten, Navalny tha se personat që kanë qenë më parë në atë burg i kanë thënë se të sëmurësh aty mund të jetë potencialisht fatale, shkruan Free Europe.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Ned Price, të premten në rrjete sociale shkroi: “I kemi parë raportet shqetësuese rreth shëndetit të përkeqësuar të Aleksei Navalnyt në burg. Ne kërkojmë qasje të vazhdueshme për avokatët e tij dhe që ai të marrë kujdes mjekësor. E përsërisim thirrjen tonë për Rusinë që menjëherë dhe pa kushte ta lirojë atë.”
Zëdhënësja e shefit të BE-së për Politikë të Jashtme, nabila Massrali, bëri thirrje të ngjashme, duke thënë se autoritetet ruse duhet t’i japin qasje Navalnyt në kujdes shëndetësor, ndërsa avokatëve qasje te klienti i tyre.
Gjendja e kritikut të Kremlinit u bë temë të mërkurën, pasi aleatët e tij thanë se janë të shqetësuar për përkeqësimin e shëndetit të Navalnyt dhe u bënë thirrje autoriteteve të burgjeve që të japin sqarime për shëndetin e tij.
Vitin e kaluar, Navalny u helmua dhe jeta e tij ishte në rrezik. Pas trajtimit në një spital në Gjermani, ai u kthye në atdhe, por u arrestua menjëherë.