Fillimi i vitit që vjen pritet të karakterizohet me një dinamizim të dukshëm të procesit të negociatave Kosovë – Serbi. Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se në fazën finale të bisedimeve mund të ketë përfshirje edhe të shteteve të fuqishme të botës, përkatësisht të SHBA-së dhe të Rusisë, shkruan Gazeta Zëri.
Gjersa ka folur për mundësinë e përfshirjes së fuqive të mëdha në procesin e bisedimeve, Edita Tahiri ka thënë për “Zërin” se SHBA-ja ka qenë e përfshirë qysh moti në procesin e negociatave.
“SHBA-ja ka qenë e përfshirë në këtë dialog që nga viti 2011. Në vitin 2011-2012 SHBA-ja ka qenë e ulur në tavolinën e bisedimeve. Ky ka qenë edhe njëri prej kushteve të mia për të pranuar që të bëhem kryenegociatore. Pastaj kur kaluam në fazën e normalizimit SHBA-ja ishte në Bruksel, por jo në tavolinë, vazhdimisht ka qenë e angazhuar që të ndihmojë gjetjen e zgjidhjes”, ka theksuar ajo.
Rrjedhimisht, edhe tash në fazën finale, sipas saj, SHBA-ja dhe Gjermania duhet të përfshihen në dialog. Gjermania ka bërë të qartë se nuk do të ketë ndryshim kufijsh dhe kjo, siç Tahiri është shprehur, është mbrojtja kryesore e parimeve evropiane për këtë dialog.
Ndërkohë, sa i takon Rusisë Tahiri ka thënë se pala serbe duhet ta dijë që aty ku është Rusia nuk mund të ketë marrëveshje. Një gjë e tillë, sipas saj, është dëshmuar edhe në punimet e Rambujesë, edhe në ato të Vjenës.
Ndërkaq Jeta Krasniqi më tutje ka thënë se SHBA-ja tashmë ka shprehur gatishmërinë për ta përkrahur këtë proces. Madje ajo nuk ka përjashtuar as mundësinë e përfshirjes së Rusisë në dialog.
“Ne kemi parë që Amerika me letrën që presidenti Trump ia ka dërguar presidentit Thaçi dhe Vuçiqit ka shprehur gatishmërinë edhe për ta mbështetur procesin e dialogut dhe pritet që të ketë një angazhim më të madh edhe të SHBA-së në këtë proces, duke i shtyrë të dyja palët që ta arrijnë një marrëveshje. Tash është e pritshme që të ketë njëfarë përfshirje edhe nga ana e Rusisë, se çfarë përfshirje do të jetë ajo mbetet të shihet”, ka nënvizuar ajo.