Një diplomat i lartë amerikan i bëri thirrje Koresë së Veriut që t’i japë fund një serie testimesh të raketave që ka kryer së fundmi dhe t’i kthehet bisedimeve, pas një takimi që ai pati me zyrtarët jugkoreanë në Seul.
“Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të ndalojë këto provokime dhe aktivitetet e tjera destabilizuese dhe të angazhohet në dialog”, tha Sung Kim, zyrtari kryesor amerikan për çështjet e Koresë së Veriut.
Ai ritheksoi se Shtetet e Bashkuara “janë të gatshme të takohen me Korenë e Veriut pa asnjë parakusht” dhe e bëri të qartë se Uashingtoni “nuk ka asnjë qëllim armiqësor ndaj Koresë së Veriut”.
Kim foli për gazetarët pas takimit që pati në Seul me homologët e tij të Koresë së Jugut. Ky takim erdhi disa ditë pasi Koreja e Veriut testoi një raketë balistike, që ishte testimi i fundit në një seri testesh raketore, teksa bisedimet midis Uashingtonit dhe Phenianit kanë ngecur.
Lansimi i kësaj rakete shkeli rezoluta të shumta të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe “përbën kërcënim për fqinjët e Koresë së Veriut dhe komunitetin ndërkombëtar”, tha Kim.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mban një fjalim politik në Asamblenë e 14-të Popullore Supreme (SPA)në Phenian, Korenë e Veriut. Fotografi nga arkivi.
Kim tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë të angazhuara për të eksploruar “diplomaci të qëndrueshme dhe thelbësore” me Korenë e Veriut dhe vazhdon të ketë qëndrimin e njëjtë që gadishulli korean duhet të denuklearizohet plotësisht.
“Prandaj, testi i fundit balistik i Phenianit, që ishte një prej disa testeve në gjashtë javët e fundit është shqetësues dhe kundërproduktiv në arritjen e përparimit drejt paqes së qëndrueshme në gadishullin korean”, tha Kim, raporton REL.
Administrata e presidentit Joe Biden ka përsëritur se është e gatshme të takohet me Korenë e Veriut “çdo kund dhe në çdo kohë” pa parakushte.
Por, Koreja e Veriut thotë se për rikthimin në bisedime, SHBA-ja duhet të heqë dorë, nga ajo që e cilëson si politikë armiqësore ndaj Phenianit. Koreja e Veriut ka hedhur poshtë akuzuat e SHBA-së, duke e akuzuar Uashingtonin dhe Seulin se po flasin për diplomaci, por ndërkohë po nxisin tensione përmes aktiviteteve të tyre ushtarake.
Koreja e Veriut tha më 21 tetor se SHBA-ja po reagon në mënyrë të tepruar ndaj testimit të raketës balistike, të cilën tha se e ka për vetëmbrojtje dhe vuri në pikëpyetje sinqeritetin e ofertës së Uashingtonit për të mbajtur bisedime.
Ndërkaq, i dërguari i Koresë së Jugut për çështje bërthamore, Noh Kyu-duk tha se bisedimet me Kimin kanë përfshirë edhe diskutime “serioze” mbi propozimin e Seulit që zyrtarisht t’i jepet fund luftës, e cila teknikisht ekziston që prej viteve 1950-1953 kur përfundoi lufta koreane përmes një armëpushimi dhe jo një traktati të paqes.
Koreja e Jugut e sheh një deklarim të tillë si gjest të vullnetit të mirë që do t’i jepte një shtytje bisedimeve. Kim tha se Uashingtoni po ashtu ka diskutuar për mënyrat sesi të bëhet përparim me Korenë e Jugut, përfshirë edhe propozimin e Seulit për dhënien fund të luftës dhe për projektet e mundshme të ndihmës humanitare.