Ambasada e SHBA-së në Kosovë, i ka quajtur aktakuzat ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, si hap përpara në procesin e drejtësisë dhe të pajtimit në Ballkanin Perëndimor.
Në lidhje me publikimin e aktakuzave, SHBA-ja thotë se ky njoftim ka qenë duke u përgatitur qe 20 vjet, raporton KOHA.net.
“Ky njoftim ka qenë duke u përgatitur qe 20 vjet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nxisin Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e pavarur të Prokurorit të Specializuar për t’ju përmbajtur mandatit të tyre përderisa ky rast vazhdon përmes sistemit të drejtësisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës besojnë se dorëzimi i aktakuzës të paralajmëruar nga Zyra e pavarur e Prokurorit të Specializuar paraqet hap përpara në procesin e drejtësisë dhe të pajtimit në Ballkanin Perëndimor. Ky njoftim është thelbësor për avancimin e sundimit të ligjit dhe të drejtësisë për viktimat në Kosovë, si dhe për ta shtyrë vendin përtej kësaj periudhe të tmerrshme dhe për t’ju bashkuar komunitetit euroatlantik”, thuhet në përgjigjen e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.
Thaçi e Veseli janë të parët ndaj të cilëve është publikuar deponimi i aktakuzës pranë Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale. Ndaj tyre, ka dyshime për kryerjen e përafërsisht 100 vrasjeve. Pos tyre, Gjykata ka njoftuar se të dyshuar janë edhe disa të tjerë, por emrat e tyre nuk i ka publikuar.