Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, duke folur për rastin, ende të pazbardhur, të vëllezërve Bytyçi, Yll, Agron dhe Mehmet, të vrarë në Serbi pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka thënë se Uashingtoni insiston për dënimin e fajtorëve për këtë vrasje, transmeton Koha.net.
“Zgjidhja e këtij rasti është me rëndësi. Është me rëndësi pasi që pushteti serb i ka arrestuar tre shtetas amerikanë dhe i ka likuiduar derisa ata i kanë pasur duart e lidhura prapa shpine. Askush qe 20 vjet për këtë rast nuk është përgjigjur. Kjo është temë që nuk mund ta harrojmë dhe mendojmë se drejtësia duhet të shkojë në vend”, ka thënë Scott.
Diplomati amerikan për gazetën “danas” ka shtuar se SHBA-ja i ka disa fakte lidhur me vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
“Është e qartë se ata tre vëllezërit kanë hyrë në Serbi dhe janë arrestuar. E dimë se ata janë mbajtur në burg, se janë dërguar në paraburgim nga forcat speciale policore serbe dhe se trupat e tyre janë gjetur në një bazë në lindje të Serbisë të cilën e ka kontrolluar njësia speciale e policisë së Serbisë nën komandë të Goran Radosavleviqit – Gurit. Edhe nëse e ka bërë krimin, edhe nëse kanë qenë nën komandën e tij ata që e kanë bërë krimin, kjo s’e bën atë më pak fajtor. Në vend se të jetë kështu, njerëzit si Radoslavleviqi kanë karrierë shumë të suksesshme në biznes dhe kanë funksione në partinë qeveritare, SNS”, ka thënë Scott.