Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka akuzuar tre zyrtarë të inteligjencës ushtarake të Koresë Veriore për një fushatë të sulmeve kibernetike për të vjedhur 1.3 miliard dollarë nga bankat dhe nga viktima të tjera.
“Operativët e Koresë Veriore, duke përdorur tastiera në vend të armëve, duke vjedhur kuleta digjitale të kriptovalutave në vend të thasëve me kesh, janë plaçkitësit kryesorë të bankave në botë”, tha përmes një deklarate ndihmësi i prokurorit të përgjithshëm, John Demers.
Rasti i paraqitur në një gjykatë federale në Los Angeles mbështetet në akuzat e vitit 2018 kundër njërit prej tyre, Park Jin Hyok, i cili atë kohë ishte akuzuar për sulm kibernetik ndaj kompanisë Sony dhe vjedhjen e 81 milionë dollarëve më 2016 nga Banka Qendrore e Bangladeshit, shkruan The Guardian.
Përpos akuzave të mëhershme, tre personat e akuzuar besohet se janë angazhuar në operacione jashtë Koresë Veriore, Rusisë dhe Kinës në përpjekje për të vjedhur 1.3 miliard dollarë duke hakuar kompjuterë përmes promovimit të aplikacioneve për kriptovaluta duke arritur të sigurojnë qasje në kuletat digjitale të viktimave.
Këta persona dyshohet se kanë bërë sulme kibernetike dhe kanë vjedhur valuta digjitale në Slloveni dhe Indonezi si dhe kanë ndërhyrë në një shkëmbim valutash prej 11.8 milionë dollarëve në Nju Jork.