Administrata e Trumpit ka porositur edhe 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit, të zhvilluar nga kompanitë “Pfizer” dhe “BioNTech”.
Përmes një deklarate, kompania amerikane njoftoi se do t’i prodhojë gjithsej 200 milionë doza për Shtetet e Bashkuara. Pritet që të gjitha dozat të shpërndahen deri në fund të korrikut të vitit të ardhshëm.
Sipas marrëveshjes, qeveria amerikane e ka mundësinë që të porosisë edhe 400 milionë doza shtesë, shkruan The Hill.
“Me këto 100 milionë doza shtesë, Shtetet e Bashkuara do të kenë mundësi që të mbrojnë më shumë njerëz dhe, me shpresë, t’i japë fund më shpejt kësaj pandemie shkatërruese”, tha shefi ekzekutiv i kompanisë “Pfizer”, Albert Bourla.
Në anën tjetër, sekretari për Shëndetësi dhe Shërbime Njerëzore i qeverisë amerikane, Alex Azar, tha se marrëveshja për blerjen e dozave shtesë u jep më shumë besim amerikanëve që deri në qershor të vitit 2021 do të kemi vaksina të mjaftueshme për secilin amerikan që i dëshiron ato.
Ndryshe, vaksina e kësaj kompanie është e para që është miratuar për përdorim urgjent nga autoritetet amerikane, të cilat tashmë e kanë miratuar edhe vaksinën e kompanisë “Moderna”.
Shtetet e Bashkuara janë vendi me shifrat më të larta të rasteve dhe viktimave të pandemisë. Ditëve të fundit, në këtë shtet po shënohen mesatarisht nga 3.000 të vdekur nga sëmundja Covid-19 për çdo 24 orë.