ShBA-ja pritet të dërgojë në Siri tanke dhe automjete të blinduara

Prishtinë | 26 Tet 2019 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka konfirmuar raportimet e mëhershme se forca të reja amerikane do të dërgohen në lindje të Sirisë për të mbrojtur fushat e naftës nga militantët e Shtetit Islamik (IS), duke shtuar se në Siri do të dërgohen edhe automjete të blinduara dhe ndoshta edhe tanke.

Komentet e Esper sugjerojnë se disa qindra trupa do të dërgohen në rajon.

Ky mision do të realizohet pavarësisht se rreth 1 mijë trupa amerikane po tërhiqen nga misioni i tyre në afërsi të kufirit me Turqinë, ku trupat nga Turqia dhe Rusia janë duke kryer patrullime të përbashkëta në zonat që më herët kontrolloheshin nga forcat amerikane dhe aleatët e tyre kurdë.

Ky vendim i SHBA-së vjen disa ditë pasi presidenti Donald Trump njoftoi për tërheqjen e trupave amerikane nga zona kufitare me Turqinë, ku Ankaraja mëton të krijojë një “zonë të sigurt” nga luftëtarët kurdë, të cilët i konsideron terroristë.

Sekretari Esper nuk dha më shumë detaje lidhur me dërgimin e trupave amerikane. Por ai tha se forcat do të “mekanizohen”, që do të thotë se me gjasë do të përdoren makina të blinduara për transportin e këmbësorisë, të tilla si Bradley dhe ndoshta edhe tanke.

Esper tha se qëllimi kryesor është të vazhdohet prezenca e trupave amerikane, me qëllim që militantët e IS-it të mos mund të rikthejnë kontrollin e fushave të naftës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme