Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, e ka vlerësuar historik miratimin e ligjeve për formimin e ushtrisë së Kosovës, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian në një përgjigje për gazetën “Zëri” kanë thënë se ushtria e Kosovës duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese.
Kuvendi i Kosovës sot do të miratojë Projektligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin në FSK, përmes të cilave do t’i ndryshohet mandati i FSK-së nga ai civil në atë ushtarak, por pa ia ndryshuar emrin.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett, e ka mbështetur këtë vendim, ndërsa zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, ka thënë për “Zërin” se BE-ja vazhdon të insistojë që ushtria të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“BE-ja vazhdon t’i ndajë pikëpamjet e qarta të NATO-s dhe të SHBA-së se mandati i FSK-së duhet të ndryshohet vetëm përmes një procesi gjithëpërfshirës në përputhje me Kushtetutën”, ka thënë Kocijançiq.