SHBA ka raportuar 77 mijë raste me Coronavirus brenda 24 orëve të fundit, bazuar në të dhënat zyrtare të Universitetit John Hopkins.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, kjo shifër ditore shënon rekord global që nga shpërthimi i epidemisë.
Bëhet e ditur, se SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga Coronavirusi, për sa i përket numrit të rasteve dhe viktimave, duke e çuar numrin e përgjithshëm të prekurve në 3.6 milionë, kurse 139 mijë persona kanë ndërruar jetë.
Vendi i dytë me më së shumti të prekur në botë është Brazili, me 2 milionë të prekur, derisa vendi raportoi deri më tani 77 mijë të vdekur.
Ndërkohë, numri i të prekurve globalisht u rrit në 14.1 milionë, ndërsa 603 mijë persona thuhet që kanë ndërruar jetë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë po formon një ekip ekspertësh ndërkombëtarë për të shkuar në Kinë për të studiuar origjinën e COVID-19.
Shefi i programit të urgjencave të OBSh-së, Mike Ryan tha se trupi shëndetësor ishte “shumë i kënaqur” me bashkëpunimin e zyrtarëve kinezë deri më tani, por ngritja dhe vendosja e një ekipi më të madh do të kërkonte kohë.