Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar katër kompani të energjisë, me arsyetimin se ato kanë ndihmuar në eksportet e naftës për forcat elite të Gardës Revolucionare të Iranit.
Sanksionet e bëra publike më 23 janar vijnë tre javë pasi forcat amerikane kanë vrarë komandatin e forcave elite të kësaj Garde, Qasem Soleimani, përmes një sulmi me dron në Bagdad.
“Shtetet e Bashkuara janë duke marrë hapa të rinj në kuadër të fushatës sonë me presion maksimal, duke ia mohuar regjimit iranian të gjitha burimet përmes së cilave financon aktivitete destabilizuese”, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përmes një deklarate.
Sekretari amerikan i Thesarit ka thënë se dy kompani të sanksionuara janë me bazë në Hong Kong, njëra në Shangai dhe një tjetër në Dubai.
Në deklaratë është thënë se të gjitha kompanitë kanë eksportuar naftë nga Kompania Kombëtare e Naftës në Iran, në vlerë të “qindra miliona dollarëve”, për t’i ndihmuar forcave elite iraniane, të cilat Shtetet e Bashkuara i kanë shpallur organizatë të huaj terroriste.