Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se ai shpreson se bisedimet për denuklearizimin e Koresë së Veriut,do të rifillojnë së shpejti midis Phenianit dhe Uashingtonit, pavarësisht provave të përsëritura të raketave të Koresë së Veriut dhe vonesën e zgjatur në rifillimin e bisedimeve.
“Ne kemi shpresë se në javët e ardhshme do të kthehemi në tryezën e bisedimeve,” u tha Pompeo gazetarëve, në Departamentin e Shtetit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ranë dakord gjatë një takimi të 30 qershorit, për të rifilluar bisedimet midis zyrtarëve të ngecura që nga një samit i dështuar në Hanoi që u mbajt në muajin shkurt.
Që atëherë, Koreja e Veriut ka kryer një seri provash të raketave me rreze të shkurtër.