ShBA-ja thotë se Rusia mund të përgatisë një video si pretekst për ta pushtuar Ukrainën

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 09:10 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se Rusia ka formuluar disa opsione për t’i përdorur si arsyetime për ta pushtuar Ukrainën, përfshirë përdorimin e mundshëm të një videoje propaganduese ku shfaqet një sulm.

Inteligjenca amerikane beson se Rusia mund të përdorë një video të fabrikuar ku shfaqen pasojat e një shpërthimi, përfshirë pajisjet që duken sikur i përkasin Ukrainës ose aleateve të saj, për ta justifikuar sulmin, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Ajo “do të përfshinte aktorë që e luajnë rolin e njerëzve që mbajnë zi për personat e vrarë në një ngjarje që ata (Rusia) do ta kishin krijuar vetë… (dhe) vendosje të kufomave për të përfaqësuar njerëz gjoja të vrarë”, tha nënkëshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jonathan Finer.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i mohoi këto raporte, sipas agjencisë TASS, duke thënë se gjëra të ngjashme janë thënë edhe në të kaluarën, por nuk kanë sjellë asgjë.

Moska në të kaluarën i ka mohuar akuzat se është duke u përpjekur të fabrikojë një konflikt dhe thotë se nuk është duke e planifikuar pushtimin e Ukrainës, por se mund të ndërmarrë veprime të pasaktësuara ushtarake, nëse kërkesat e saj nuk plotësohen nga Perëndimi.

Kremlini e akuzoi Uashingtonin të enjten për injorim të thirrjeve të tij për uljen e tensioneve, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë 3.000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani.

Të ngjashme