Shtetet e Bashkuara kanë zvogëluar prezencën e tyre ushtarake në Afganistan, sikurse ishte arritur pajtueshmëri me talibanët në muajin shkurt, ka thënë gjenerali që mbikëqyr këtë rajon.
“Ne jemi pajtuar që arrijmë në mesin e 8,000 trupave brenda 135 ditëve”, ka thënë gjenerali, Kenneth McKenzie, udhëheqës i Komandës Qendrore amerikane, në një ngjarje të organizuar nga Instituti Aspen.
Marrëveshja e arritur në muajin shkurt parasheh mënyrën e largimit të trupave amerikane dhe synon të hapë rrugën për bisedime paqësore në mes të talibanëve dhe qeverisë së mbështetur nga SHBA-ja në Kabul.
Sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për të zvogëluar numrin e trupave në Afganistan, nga 12,000 në 8,600, deri në mesin e muajit korrik.
Nëse parashikimet ecin mirë, të gjithë trupat amerikane dhe trupat tjerë të huaj do të largohen nga Afganistani në mesin e vitit të ardhshëm.
McKenzie ka thënë se tërheqja e plotë e trupave amerikane varet nga zbatimi i zotimeve nga ana e talibanëve.
Pikë kyçe e marrëveshjes është që talibanët të ndërpresin të gjitha lidhjet me grupet ekstremiste si Al-Kaida dhe Shteti Islamik, të cilat mund të kryejnë sulme kundër SHBA-së apo aleatëve të saj.
Një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar më 1 qershor, tregon se talibanët ende mbajnë lidhje të ngushta me Al-Kaidën.
Aty është thënë po ashtu se talibanët janë konsultuar vazhdimisht me Al-Kaidën gjatë negociatave me SHBA-në.
I dërguari i SHBA-së për Afganistsanin, Zalmay Khalilzad, ka hedhur poshtë raportin e OKB-së, duke thënë se ka mbulur periudhën para arritjes së marrëveshjes së shkurtit. /REL