Zyrtarë shtetërorë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë komunikuar privatisht me Moskën se do të ketë pasoja nëse ajo zgjedh të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.
Nuk dihet saktë dhe qartë se si dhe kur u dërguan paralajmërimet, shkruan CNN, transmeton Klan Kosova.
Sipas një zyrtari, edhe Departamenti Amerikan i Shtetit ishte i përfshirë.
Administrata Biden gjithashtu është mbështetur shumë në kanalet e inteligjencës për t’i komunikuar mesazhe Moskës për shkak të luftës që është duke u zhvilluar në Ukrainë.
Paralajmërimet e raportuara për herë të parë nga The Washington Post, vijnë pasi presidenti rus Vladimir Putin ka kërcënuar edhe një herë se do t’u kthehet armëve bërthamore.
“Në rast të një kërcënimi për integritetin territorial të vendit tonë, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri do të përdorim të gjitha sistemet e armëve që kemi në dispozicion. Ky nuk është një blof”, ka thënë Putin.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se kjo nuk është hera e parë që Putin kërcënon se do t’i përdorë armët bërthamore që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt, megjithëse disa analistë e kanë parë këtë kërcënim si më specifik dhe më përshkallëzues sesa retorika e kaluar e presidentit rus.
Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se “kërcënimet e pamatura bërthamore të Rusisë duhet të ndalen menjëherë”.