Departamenti Amerikan i Shtetit bëri thirrje që Rusia të pranojë përgjegjësinë në rrëzimin e avionit të pasagjerëve të MH17 i Malaysia Airlines, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert publikoi një deklaratë në lidhje me njoftimin e Ekipit të Përbashkët Hetimor Ndërkombëtar (JIT) se avioni i pasagjerëve MH17 i Malaysia Airlines i rrëzuar në Ukrainë në vitin 2014 ishte qëlluar nga një raketë e ushtrisë ruse.
Ajo tha se mbështesin “në mënyrë të fuqishme” thirrjen e Holandës dhe të Australisë që Rusia të marrë përgjegjësi për avionin e rrëzuar malajzian. “Është koha që Rusia të pranojë që ka qëlluar MH17 dhe duhet t’i japë fund fushatës së informatave të gabuara”.
Nauert po ashtu tha se Rusia duhet t’u përgjigjet thirrjeve.
Ndryshe, JIT të enjten njoftoi se kanë vërtetuar se avioni i pasagjerëve MH17 i Malaysia Airlines i rrëzuar në Ukrainë në vitin 2014 ishte qëlluar nga një raketë e ushtrisë ruse. JIT ka theksuar se raketa i përkiste Brigadës 53 të ushtrisë ruse të vendosur në Kursk.
Avioni i pasagjerëve në relacionin Amsterdam-Kuala Lumpur u rrëzua më 17 korrik 2014 në lindje të Ukrainës, 40 kilometra larg kufirit me Rusinë ndërsa në këtë fatkeqësi humbën jetën të gjithë 298 personat në avion.