SHBA vendos sanksione të reja ndaj Rusisë për Ukrainën

Prishtinë | 16 Mar 2019 | 09:14 | Nga Ekonomia Online

SHBA ka shënjestruar gjashtë individë rusë si dhe tetë kompani për “agresion të vazhdueshëm”

SHBA ka vendosur në listën e zezë gjashtë shtetas të Rusisë dhe tetë kompani ruse për “agresionin e vazhdueshëm” të Rusisë në Ukrainë, përderisa Bashkimi Evropian (BE) dhe Kanada kanë vendosur sanksionet e tyre.

Nga Departamenti i Thesarit thonë se sanksionet e reja ekonomike ndërlidhen me “sulmet e paarsyeshme” të Rusisë ndaj anijeve ukrainase në një linjë kyçe detare mes gadishullit të Krimeas dhe Rusisë, si dhe për shkak të aneksimit rus të Krimesë dhe mbështetjes së rebelëve separatistë në lindje të Ukrainës.

“Kjo iniciativë e përbashkët me partnerët tanë, BE-në dhe Kanadanë, rithekson përkushtimin tonë të përbashkët për të vendosur sanksione të shënjestruara dhe kuptimplote në përgjigje ndaj përpjekjeve të Kremlinit për të mos respektuar normat ndërkombëtare dhe për të shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, thuhet në deklaratën e Steven Mnuchin, sekretarit të Departamentit të Thesarit.

Në mesin e kompanive të vendosura në listën e zezë janë zyrtarët rus për të cilët Departamenti i Thesarit thotë se janë të përfshirë në sulmin ndaj anijeve ukrainase në ngushticën Kerch, ndihmës drejtori i gardës kufitare ruse, Gennadiy Medvedev, udhëheqësi i drejtorisë së kufijve, Sergey Stankevich dhe ndihmësi i udhëheqësit të drejtorisë së kufijve, Andrey Shein.

Nga Departamenti i Thesarit thonë se Medvedev dhe Stankevich “në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kontrolluar dhe organizuar sulmin”.

Shtetasi i katërt rus, Ruslan Romashkin, udhëheqësi rus i sigurisë në Krimea dhe Sevastopol, është shënjestruar po ashtu.

SHBA ka sanksionuar edhe tetë kompani ruse të sektorit të mbrojtjes për të cilat thuhet se operojnë në Krime.

Rusia ka kapur 24 trupa ukrainas në ngushticën Kerch në nëntor të vitit të kaluar dhe ka konfiskuar tre anije detare të Ukrainës. Trupat e kapur akoma nuk janë liruar. /AA

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme