SHBA: Vlerësojmë partneritetin e Serbisë në luftimin e agresionit të Rusisë në Evropë

Prishtinë | 23 Gus 2024 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Departamenti amerikan i Shtetit tha se vlerëson partneritetin e vazhdueshëm të Serbisë “në luftimin e agresionit të Rusisë në Evropë dhe në ndihmën humanitare për popullin ukrainas”.

Në një përgjigje dërguar Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, DASH-i tha se bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara me udhëheqësit serbë është i fokusuar në “forcimin e partneritetit strategjik mes dy shteteve tona, teksa Serbia ndërton të ardhme të sigurt dhe prosperuese në Evropë që është e paprekshme nga shantazhi politik dhe ekonomik i Rusisë”.

Ky institucion u pyet që të komentonte akuzat e bëra nga aktivisti rus, Andrei Pivovarov, i cili tha se zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, ishte përfshirë në arrestimin e tij më 2021.

Por, nga DASH-i thanë se Vulin vazhdon të jetë në listën e sanksioneve amerikane.

“Qëndrimi ynë sa i përket Aleksandar Vulinit tashmë dihet. Ai vazhdon të jetë nën sanksione amerikane. SHBA-ja nuk ka asnjë rol në emërimin e pjesëtarëve të Qeverisë serbe”, tha DASH-i.

Vulin ishte ministër i Brendshëm i Serbisë kur Pivovarov u arrestua në maj të vitit 2021.

Pas lirimit të tij, që u bë në kuadër të këmbimit më të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit më 1 gusht, aktivisti rus në një intervistë për të përjavshmen serbe, Radar, tha se ai ishte arrestuar pas informacionit për të që Vulin supozohet se ia dha shërbimeve sekrete ruse.

Tre vjet më parë, pretendime të njëjta ishin bërë edhe nga gazetari dhe aktivisti rus, Vladimir Kara-Murza – po ashtu i liruar më 1 gusht – por, atëbotë Vulini kishte mohuar të gjitha akuzat.

Serbia është një prej shteteve të pakta evropiane që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës, gjë që Brukseli vazhdimisht kërkon nga Serbia që t’i vendosë sanksione, pasi është shtet që aspiron anëtarësimin në BE, raporton REL.

Të ngjashme