Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka përmendur ndikimin në prokurorë dhe lendet e tyre si një nga sfidat me të cilat ballafaqohen prokurorët në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Megjithatë, ai në fjalimin e tij në Konferencën Vjetore të Prokurorëve tha se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen për të siguruar një sistem të drejtësisë të pavarur dhe transparentë.
Szunyog, u shprehë se lëndët duhet të trajtohen në mënyrë të shpejtë dhe efikase, duke shtuar se lufta kundër krimit e korrupsionit fitohet me dënime të shkallës së prerë.
E dimë mirë se në punën tuaj të përditshme si anëtarë të shërbimit të prokurorisë, ju përballeni me sfida të panumërta. Në përditshmërinë tuaj ju përballeni me kufizimet prej pandemisë Covid19, presionin prej lëndëve të prapambetura, burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare, Zbatimin e Sistemit për Menaxhim Informativ të Lëndëve dhe ndryshimin e procedurave të punës, mungesën e stafit mbështetës dhe rastet e ndikimeve të padrejta ndaj jush dhe lëndëve tuaja”, tha ai.
Fjalimi i Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve (VIDEO)
Shkëlqesia juaj Ushtruese e Detyrës së Presidentes, i nderuar z. Kryeprokuror i Shtetit Lumezi, i nderuar z. Kryetar i KPK-së Maloku, i nderuar Ministër i Drejtësisë Selimi, Ambasadorë Kosnett, Kolly dhe Lobbezoo, zonja dhe zotërinj.
Ju jam shumë falënderues që më keni ftuar të flas në emër të BE-së. Edhe pse jemi duke kaluar këto kohë të vështira të Covid-it, është kënaqësi që më jepet mundësia të jem pjesë e konferencës suaj, në të cilën do të diskutohen një numër çështjesh me rëndësi.
Prokuroria është një nga shtyllat kryesore të Sundimit të Ligjit. Krijimi dhe ruajtja e një prokurorie efikase, të pavarur dhe llogaridhënëse është proces i vështirë, kompleks dhe i vazhdueshëm.
E dimë mirë se në punën tuaj të përditshme si anëtarë të shërbimit të prokurorisë, ju përballeni me sfida të panumërta.
Në përditshmërinë tuaj ju përballeni me
Kufizimet prej pandemisë Covid19,
Presionin prej lëndëve të prapambetura,
Burimet e kufizuara njerëzore dhe financiare,
Zbatimin e Sistemit për Menaxhim Informativ të Lëndëve dhe ndryshimin e procedurave të punës,
Mungesën e stafit mbështetës
Dhe rastet e ndikimeve të padrejta ndaj jush dhe lëndëve tuaja.
Përkundër këtyre sfidave, ne vazhdojmë të besojmë në mundësinë e arritjes së rezultateve më të mira, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në këtë drejtim, lëndët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë më efikase dhe profesionale. Pritjet tona janë të mëdha kur flitet për specializimin në kuadër të Prokurorisë së Shtetit, veçanërisht kur flitet për PSRK-në (Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës).
Është gjithashtu e rëndësishme të nënvizohet se puna e prokurorit fillon me udhëheqjen e hetimit por nuk përfundon me ngritjen e aktakuzës. Fitorja në luftën kundër krimit vjen vetëm kur jepen dënime të formës së prerë në gjykatë.
Veç kësaj, konfiskimi i pasurive është thelbësor për luftimin e krimit ekonomik. Është i lartë numri i konfiskimeve paraprake të pasurive të kryera gjatë procedurave penale. Por ende mbetet i ulët numri i konfiskimeve përfundimtare.
Në mënyrë që të lehtësohet më tej rikuperimi i të ardhurave të krimit dhe që pasuritë të konfiskohen në mënyrë efektive, BE-ja dhe të gjithë partnerët ndërkombëtarë e inkurajojnë Kosovën që ta themelojë sa më shpejt fondin për këtë qëllim specifik. Do të duhej të kishte përparim në zbatimin e legjislacionit në lidhje me konfiskimin, veçanërisht të Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskim.
Ne shpresojmë edhe që gjatë vitit 2021 më në fund të miratohet dhe të hyjë në fuqi drafti i Kodit të ri të Procedurës Penale. Legjislacioni i ri sjell disa ndryshime në procedurat penale, të cilat nëse zbatohen siç duhet shpresohet të kenë ndikim pozitiv në efektivitetin e ndjekjes penale të lëndëve.
Për forcimin e mëtejshëm të sundimit të ligjit dhe rritjen e llogaridhënies, efikasitetit dhe integritetit të institucioneve, ne i mirëpresim përpjekjet për përgatitjen e Strategjisë për Sundim të Ligjit, të bazuar në Rishikimin Funksional. Kjo është një përpjekje e përbashkët e ministrive, gjyqësorit dhe prokurorisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, si dhe partnerëve ndërkombëtarë dhe shoqërisë civile.
Në muajin tetor, për forcimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial Bashkimi Evropian lansoi Programin për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë. Ky program, do të zgjasë për 3 vitet e ardhshme.
Prokuroria është një nga institucionet kyçe që mund të përfitojë nga ky projekt që zbatohet në bashkëpunim me shërbimet relevante në Gjermani, Holandë dhe Kroaci. Besoj se kjo është një mundësi e shkëlqyer që ju të punoni me homologët tuaj evropianë për forcimin e kapaciteteve tuaja.
Për fundi, më lejoni ta përmend projektin e financuar nga BE-ja për Krimin Ekonomik, i njohur edhe si projekti PECK. Përmes mentorimeve të drejtpërdrejta dhe trajnimeve në vendin e punës nga ekspertë të nivelit të lartë nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Evropës, ky projekt mund t’u ndihmojë prokurorëve që punojnë për ndjekjen penale të krimeve më komplekse ekonomike. Shpresoj që prokuroria ta shfrytëzojë në mënyrë aktive të gjithë këtë mbështetje.
Më lejoni ta përfundoj duke thënë se Bashkimi Evropian do të vazhdojë t’ju mbështesë në veprimet tuaja për sigurimin e një shërbimi prokurorial të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës. Ju uroj sukses në Konferencën tuaj të sotshme.