Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka mbërritur në një vizitë “të paparalajmëruar” në Kosovë, në kuadër të turit në shtetet e rajonit.
Rreth orës 15:00, ai ka hyrë në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, raporton Ekonomia Online.
Eskorta e tij është përcjellë me forca të shtuara nga Aeroporti i Prishtinës. Ndërsa edhe para hyrjes në oborrin e Presidencës, janë parë forca të shumta policore.
Paraprakisht, Ambasada amerikane në Prishtinë nuk konfirmoi vizitën e Burnsit në Kosovë. Radio Evropa e Lirë nuk mori konfirmim as nga Presidenca e Kosovës, e as nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Por, avioni i ushtrisë amerikane, me të cilin besohet se ka udhëtuar shefi i CIA-s në rajon, u pa mesditën e së enjtes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Me këtë avion besohet se Burns ka udhëtuar nga Sarajeva në Beograd. Ndërkaq, më 22 gusht ky aeroplan udhëtoi nga Beogradi drejt Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe në fund Kosovës, sipas ueb-faqes për gjurmimin e fluturimeve, Flightradar.
Vizita e Burnsit në rajon vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.
SHBA-ja dhe shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare kanë kritikuar disa vendime dhe veprime të ndërmarra së fundi nga Qeveria e Kurtit, që janë konsideruar si “të njëanshme” dhe “të pakoordinuara”.