Shefi i misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark është shprehur krenar me anëtarët e EULEX-it që e shpëtuan një serb nga Beogradi i cili dje paradite u gjet në Mitrovicën e Veriut pasi ishte aksidentuar me motoçikletë.
Lars-Gunnar Wigemark ka shkruar në Twitter se është krenar për ndihmën që dhanë në shpëtimin e 32-vjeçarit, ndërsa i uroi atij shërim të shpejtë.
“Krenar sesi anëtarët e #EULEX nga Njësia e Policisë nga Polonia ndërsa ishte në patrullë dje ndihmuan për ta shpëtuar një burrë që u zhduk disa ditë më parë pasi hyri në Kosovë me një motoçikletë. Shërim të shpejtë atij nga dëmtimet e rënda”, shkroi shefi i EULEX-it.
Ivan Millosheviq, një serb nga Beogradi që ishte raportuar si i zhdukur, është gjetur dje i lënduar nga një aksident që kishte pasur me motoçikletë në Mitrovicën e Veriut.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Veriut, togeri Branisllav Radoviq i tha “Kosovo Online” se motoristi u dërgua me ambulancë në departamentin kirurgjik të spitalin në Mitrovicë të Veriut.
Familja e serbit ka njoftuar se ai kishte qenë i zhdukur tash e disa ditë. Në një e-mail dërguar portalit serb në Kosovë, “Kosovo Online”, familja e tij ndër tjerash i ka falenderuar edhe shqiptarët që ndihmuan në gjetjen e tij.