Drejtori i FBI-së, Christopher Wray ka paralajmëruar se Rusia po vazhdon përpjekjet për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane, duke thënë se ky është një “ndikim i huaj malinj” që paraqet “një kërcënim të madh të kundërinteligjencës” ndaj Shteteve të Bashkuara.
Gjatë një fjalimi në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë, Wray paralajmëroi se operacionet ruse nën direktivën e presidentit rus, Vladimir Putin, me gjasë do të intensifikohen gjatë fushatës presidenciale më 2020.
“Ne e pranojmë se kundërshtarët tanë do të vazhdojnë të përshtasin dhe të përmirësojnë lojën e tyre. Unë mendoj se Rusia paraqet një kërcënim të rëndësishëm, posaçërisht në kibernetikë, sigurisht atë që ne e quajmë territor të ndikimit të huaj malinj, sigurisht me prezencën e zyrtarëve të tyre të inteligjencës që janë në këtë shtet”, deklaroi Wray.
Wray ka përshkruar sesi FBI-ja, Departamenti për Siguri Kombëtare dhe agjencitë e inteligjencës amerikane kanë krijuar task-forca për të koordinuar përpjekjet e tyre për t’u përballur me ndikimin e Rusisë në zgjedhjet afat-mesme më 2018 në SHBA – një lëvizje kjo e bërë, për shkak të përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale më 2016.
“Ne e shikojmë vitin 2018 si një provë për shfaqjen e madhe që të ndodhë më 2020”, tha Wray.
Wray po ashtu tha se shtetet si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po ashtu kanë tentuar të kenë “ndikim të huaj” në Shtetet e Bashkuara.
Ai tha se këto shtete po “shikojnë dhe po mbajnë shënime se si Rusia ka vepruar prej vitit 2016 e tutje”.
“Mendoj se ne presim që kjo të bëhet fenomen të cilin ne duhet ta luftojmë”, tha ai./rel