Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka thënë se është “problem i qartë” se shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme nuk po marrin vaksinat kundër COVID-19.
Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se shtetet e pasura kanë shumicën e vaksinave.
Deri tash, shtetet si Britania, anëtaret e BE-së, SHBA-ja, Zvicra dhe Izraeli kanë qenë në ballë të radhës për shpërndarje nga kompanitë Pfizer/BioBTech, Moderna dhe AstraZeneca.
Ai ka thënë se pret që të caktojë datat e udhëtimit për javën e ardhshme për misionin në Kinë për të hetuar origjinën e koronavirusit.
Tedros kishte thënë më herët se ishte “shumë i zhgënjyer” që Kina ende nuk kishte autorizuar hyrjen e ekipit të ekspertëve ndërkombëtarë për të hetuar rastet e para me COVID-19.
Afër 88 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus dhe rreth 1.9 milionë kanë vdekur, raporton Reuters.
Infektimet janë raportuar në më shumë se 210 shtete dhe territore që nga rastet e para të identifikuara në Kinë në dhjetor 2019.