Shefi sicilian i mafias Messina Denaro, në “komë të pakthyeshme”

Prishtinë | 23 Sht 2023 | 16:55 | Nga Ekonomia Online

Shefi sicilian i mafias, Matteo Messina Denaro, i arrestuar pas tri dekadash arratie, është në gjendje kome në spital dhe nuk mund të ushqehet më, kanë raportuar mediat të shtunën.

Ky 61-vjeçar ka vuajtur nga kanceri në zorrë që disa vjet.

Ka qenë vendimi i tij për të marrë trajtim mjekësor, çka më pas ka rezultuar me arrestimin e tij, pas shkuarjes në një klinikë në qytetin italian, Palermo.

Ai përballet me disa dënime me burgim të përjetshëm.

Sipas raportimeve në media, ai tani është në “komë të pakthyeshme”.

Messina Denaro konsiderohet një prej udhëheqësve më të pamëshirshëm të mafias në Itali dhe akuzohet për shumë krime, përfshirë rolin e tij në vrasjen e gjyqtarit kundër-mafias Giovanni Falcone më 1992.

Ai është shpallur fajtor për përfshirjen në disa bombardime në Romë, Firencë dhe Milano më 1993 dhe për kidnapim dhe vrasje të një 12-vjeçari.

Messina Denaro është zhdukur në verën e vitit 1993 dhe është bërë një prej emrave më të kërkuar në Itali.

Ndonëse ka pasur spekulime se është strehuar në vende të ndryshme në botë, ai është gjetur afër vendlindjes së tij në perëndim të Sicilisë.

Të ngjashme