Shefja e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë viziton “The Ideas Partnership”

Prishtinë | 19 Jan 2019 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert vizitoi ditën e premte qendrën e organizatës joqeveritare në Fushë Kosovë, The Ideas Partnership (TIP), ku u prit nga drejtoresha ekzekutive, Elizabeth Gowing, njëkohësisht bashkëthemeluese e organizatës. Kjo vizitë u realizua me qellim të gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit për të ngritur kapacitetet e qendrës së The Ideas Partnership dhe potencialisht për të përkahur aktivitetet që zhvillohen në këtë qendër.

Stafi i The Ideas Partnership prezentoi aktivitetet dhe punën e tyre me komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian në Fushë Kosovë në fushën e edukimit, shëndetësisë, dhe kujdesit social si dhe vështirësitë me të cilat përballen këto komunitete.

Stafi i Ambasadës së Luksemburgut u tregua i gatshëm për të ofruar përkrahje në gjetjen e mënyrave alternative për të ndihmuar punën e organizatës sonë. Ata theksuan se është esenciale ndërlidhja me institucionet dhe organizatat relevante në bashkimin e forcave për bashkëpunim në rritjen e mirëqenies së këtyre komuniteteve si dhe në ofrimin e mundësive të barabarta për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Shefja e Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë vlerësoi lart punën 10 vjeçare të TIP si dhe theksoi rëndësinë e besimit të krijuar nga këto komunitete në punën e kësaj organizate, duke vënë theksin tek kultura e vullnetarizmit, puna avokuese, përkrahja e komuniteteve në fushën sociale, punësim, shëndetësi, ndërmjetësim dhe ngritjen e kapaciteteve me institucionet lokale dhe shtetërore.

Stafi i Ambasadës pati rastin të vizitoj edhe kopshtin e The Ideas Partnership në Fushë Kosovë ku u njoftua nga afër me punën e stafit me rreth 60 fëmijë çdo ditë të moshave 3 deri në 5 vjeç. Kopshti i The Ideas Partnership u themelua katër vite më parë dhe që atëherë vazhdon punën si kopshti i vetëm i ofruar falas në lagjet ku jetojnë komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian.

Vizita e Shefes së Ambasadës së Luksemburgut u përmbyll me njohjen nga afër të ndërmarrjes sonë sociale “Sa-Punë”, iniciativë kjo që punëson gra nga këto komunitete në prodhimin e produkteve të dorës duke u mundësuar që të krijojnë të hyra për familjet e tyre.

Të ngjashme