Presidenti Hashim Thaçi, dhe liderët e partive kryesore politike të Kosovës, kanë marrë pjesë në një takim të thirrur nga shefja e zyrës së BE-së, Nataliya Apostolova, raporton Ekonomia Online.
Në takim janë kryetari i Kuvendit, njëherësh kryetar i PDK-së, Kadri Veseli; kryeministri i Kosovës dhe lider i AAK-së, Ramush Haradinaj; ministri i Punëve të Jashtme dhe kryetar i AKR-së, Behgjet Pacolli; si dhe zëvendëskryeministri dhe kreu i Nismës, Fatmi Limaj.
Pjesë e takimit ishin dhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti; Ismet Beqiri dhe Avdullah Hoti nga LDK-ja; si dhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.
Takimi u thirr pasi presidenti Thaçi njoftoi se ka arritur një deklaratë të përbashkët me homologun e tij, Filip Vujanoviq për Demarkacionin me Malin e Zi.
Fillimisht Thaçi ka mbledhur në zyrën e tij të gjithë liderët e partive politike. Ata nuk kanë komentuar përfundimet e takimit që kanë mbajtur në Presidencë.
Gjatë ditës, presidenti Thaçi dhe ai i Malit të Zi, Filip Vujanoviq kanë dalë me një deklaratë të përbashkët për Demarkacionin me Malin e Zi.
Thaçi gjatë një konference për media bëri të ditur se me anë të kësaj deklarate Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvend dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen sipas Nenit 12 të marrëveshjes.
“Republika e Kosovës dhe Mali i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se marrëveshja ka hy në fuqi do të formojnë një trup të përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare”.