Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj në një konferencë për mediat u shpreh se udhëheqja e tanishme nuk e dërgon dot PD në fitore, pasi sipas tij lidershipi i tij po përpiqet ta kalojë humbjen si diçka normale dhe pa reflektim.
Shehaj u shpreh se një nga arsyet që e çoi drejt kandidimit për kryetar të PD është bindja e tij, pas zgjedhjeve të fundit, se Lulzim Basha nuk e çon dot PD në fitore.
“Në 13 qershor anëtarët e PD do vendosin nëse do të humbasin prapë apo jo. Është e nevojshme një reformë e thellë dhe e menjëhershme. Të qenët kryetar nuk duhet të jetë vetëm privilegj, por përgjegjësi. Do të propozoj ndryshime në statut që kryetari të mos zgjidhet më nëse humb zgjedhjet”, tha z. Shehaj, njofton Abc News Albania.
Sipas z. Shehaj, një nga problemet më të mëdha në PD aktualisht është mungesa e meritokracisë, ndaj për t’i fituar zgjedhjet duhet reformuar PD dhe të hapet për të rinjtë dhe të vjetrit.
“Duhet të jenë anëtarët ata që duhet të vendosin për karrierën e strukturës dhe liderëve të partisë”, u shpreh z. Shehaj.
I pyetur nëse do të qëndronte ende në grupin parlamentar të PD nëse Basha rizgjidhet në krye të partisë, z. Shehaj tha se do të vijojë të qëndrojë nëse nuk e përjashtojnë. Ai nënvijëzoi se nuk ka asgjë personale me Bashën, por u shpreh se kjo është një çështje që ka të bëjë me fatin e partisë dhe të vendit.
“S’kam asgjë personale me Bashën, mua s’më ka bërë asgjë. Por s’mund të vazhdojmë të presim më pasi humbën zgjedhjet, është çështje që ka të bëjë me fatin e partisë dhe Shqipërisë. Ne lamë në pushtet një nga qeveritë më të korruptuara në 30 vjet”, u shpreh z. Shehaj.