Drejtori i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli, ka rekomanduar që mbledhjet e Qeverisë së Kosovës të mbahen në veri të vendit. E gjithë kjo sipas tij të bëhet për të treguar afërsinë e institucioneve për serbët në atë pjesë, raporton Ekonomia Online.
Sheholli ka thënë se sulmet në veri të vendit kanë qenë të ditura, teksa shton se serbët në veri janë të lidhura me grupe tjera kriminale në Serbi.
“Ne para dy tre muaj dite kemi dalë edhe me një rekomandim por edhe me një analizë si institut për afirmimin e marrëdhënieve ndëretnike lidhur me këto që po ndodhin sot. Jo ndoshta në këtë aspekt të asaj që ka ndodhur siç është rasti i gjuajtjes me armë por që kemi pasur informacione të cilat kanë për qëllim destabilizimin e veriut. Për këtë çështje dilemë nuk ka dhe informacionet vazhdojnë tutje sepse serbët në veri dhe jo vetëm serbët por grupe banditeske të cilat në një formë apo tjetër janë të ndërlidhura me grupet e tjera kriminele në Serbi”, tha Sheholli.
“Ajo që ne i rekomandojmë kryeministrit të Republikës së Kosovës zotit Albin Kurti si Institut për Afrimin e Marrëdhënieve Ndëretnike është që mbledhjet e Qeverisë të Republikës së Kosovës në të ardhmen kishte me qenë shumë e arsyeshme që të mbahen në veri të vendit tonë me theks të veçantë në veri të Mitrovicës, por edhe në Sveçan, Leposaviq e të tjera me qëllim që ky mesazh të jetë i qartë se ajo pjesë pavarësisht që ka përpjekje të destabilizimit të formave të ndryshme që Qeveria e Kosovës është në pozicionin e vet, vendin e vet dhe në Republikën e vet”, tha tutje Sheholli.
Ai ka kërkuar që të vizitohen komunat me shumicë serbe, pasi sipas tij serbet në atë pjesë janë të shqetësuar. E gjithë kjo sipas tij do të bënte që serbët nga Kosova t’i shprehin shqetësimet e tyre tek krerët më të lartë të shtetit.
“Çështje tjetër me rëndësi është që vizitat e kryeministrit por edhe të presidentes në komunat me shumicë serbe të cilat nuk po ndodhin ende, edhe pse presidentja ka filluar që të vizitojë por mbetet të shihet. Serbët e Kosovës duhet të themi janë të shqetësuar sikur ata në veri gjithashtu edhe këta në pjesën qendrore të Kosovës por edhe në Anamoravë, dhe në këtë aspekt besoj që ne si shoqëri demokratike dhe si Qeveri e kemi për obligim që qytetarëve serb të Republikës së Kosovës t’u japim mundësi që të shprehen dhe të pohojnë shqetësimet e tyre para njerëzve të cilët mund të u ndihmojnë, e në këtë rast janë kryeministri, presidentja, Kuvendi por natyrisht edhe partitë politike”, tha ai.