Një ndërtesë katërkatëshe është shembur të martën në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai, duke i zënë nën rrënoja dhjetëra njerëz. Departamenti i zjarrfikësve njoftoi se deri tash është konfirmuar vdekja e katër personave.
Kjo është shembja e dytë e ndërtesave në Mumbai në dhjetë ditët e fundit. Reshjet e mëdha të shiut që e kanë përfshirë qytetin në sezonin e reshjeve shpesh i dëmtojnë ndërtesat e vjetra dhe të dobëta, duke shkaktuar shumë shembje të tyre gjatë tërë vitit.
“Nuk e dimë saktësisht numrin e personave që janë bllokuar nën rrënoja, por në bazë të informatave nga fqinjët, besojmë se aty ndodhen më shumë se 30 njerëz”, tha një zyrtar, duke shtuar se operacioni i kërkimit është vështirësuar për shkak të rrugicave të ngushta në këtë zonë, shkruan “Reuters”.