Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës bashkë me ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, komunën e Prishtinës, “Let’s Do it Kosova” e shumë organizata të tjera kanë shënuar “Ditën Botërore të Mjedisit”, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se është me rëndësi që Dita e Mjedisit të shërbejë për vetëdijesim dhe të jetë ditë e mjedisit çdo ditë.
“Kjo ditë duhet të shpërbejë për vetëdijesim. Në çfarë e kemi mjedisin shpresojmë që me gjeneratën e re do të kemi ndryshim për të mirë. Fëmijët më thanë se mjedisi është ajo çka rrethon dhe ku jetojmë”.
“Mjedisi është edhe uji, ajri e toka e poashtu dielli. Këtë ajrin e ndotur ajo pema na pastron. Na njerëzit e dëmtojmë mjedisin. Prandaj e kemi të domosdoshëm të ndërmarrim hapa të shpejtë në raport me mjedisin sepse ka të bëjë drejtpërdrejtë me jetën tonë”.
Ministrja e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se mbrojtja e mjedisit është prioritet dhe se në shkolla vazhdimisht organizohen aktivitete që kanë qëllim vetëdijesimin e nxënësve, raporton EO.
“Edhe për ministrinë është prioriteti kujdesi për mjedisin. Janë të nevojshme aktivitete të tilla”.
“Në qindra shkolla organizohen aktivitete, po iu japin mundësi t’i tregojnë idetë e tyre për mjedisin”.
Luan Hasanaj nga Let’s Do It Kosova, ka kërkuar nga institucionet që të punojnë më shumë në ruajtjen e mjedisit.
“Shpresoj që në 5 qershor ministri të dalë këtu dhe të na tregojë përmirësimin e situatës. Nuk do të ndalemi që të angazhohemi për mjedisin dhe do të kërkojmë nga institucione të punojnë më shumë në këtë drejtim”.
Pjesë e aktiviteve ishin dhe organizata si Green Art Center (GAC), ATRC, Pamkos etj.
Përfaqësuesi i GAC, Lorik Muçaj, ka falënderuar nxënësit në mbarë Kosovën që janë pjesë e shënimit të kësaj dite.
Klubet e gjelbra të shkollave të Prishtinës promovuan konceptin 3R (Redukto, Ripërdor, Riciklo), ndarjen e mbeturinave të riciklueshme në burim, kompostimin dhe e ripërdorimin e tyre.
Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit u hap ekspozita e nxënësve me moton “Duaje Tokën”.