Në të gjitha trevat shqiptare shënohet 106 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë. Në komunat e vendit janë paraparë aktivitete të ndryshme për shënimin e Ditës së Flamurit – 28 Nëntorit. Aktivitet fillojnë me homazhet që do të bëhen tek varret e dëshmorëve, për të vazhduar pastaj me aktivitete tjera.
Shqipëria shpalli pavarësinë më 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Kryeministër i parë u zgjodh Ismail Qemajli, i cili edhe udhëhoqi procesin dhe ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.
Në deklaratën e shpalljes, kufijtë e Shqipërisë përfshinë dhe trojet shqiptare që sot nuk i takojnë Shqipërisë gjeografike, por që në konferencën e Londrës, Shqipërisë iu morën më shumë se 60 % e territoreve të saj.
Komandanti legjendar Adem Jashari sot po të ishte gjallë do t’i bënte 63 vjet. Ai ka lindur më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit.
Gjithashtu sot bëhen 21 vjet që nga dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj dhe Rexhep Selimi, më 28 nëntor të vitit 1997, në Llaushë të Skenderajt në varrimin e mësuesit Halit Geci kanë dalë për herë të parë para opinionit publik si pjesëtarë të UÇK-së.
Kësaj daljeje i paraprijnë luftimet e para frontale ndërmjet UÇK-së dhe policisë serbe, të drejtuara nga komandanti legjendar, Adem Jashari.