Kultivuesit e mollës do të vazhdojnë ta kenë mbështetjen e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes granteve investive dhe subvencioneve, me qëllim të shtimit të prodhimtarisë së kësaj kulture e bashkë me këtë edhe rritjen e cilësisë. Kështu është shprehur zëvendësministri i MBPZHR-së, Mevludin Krasniqi, në manifestimin tradicional “Dita e mollës 2018”, që u mbajt sot në fshatin Kovragë të komunës së Istogut, ku kanë marrë pjesë nënkryetari i kësaj komune, Lulzim Blakaj, përfaqësues të USAID-it, përfaqësues të Shoqatës “Pema”, si dhe fermer të këtij rajoni.
Me këtë rast, zëvendësministri i Bujqësisë, Mevludin Krasniqi, tha se përmes kushteve, të cilat po i krijojnë për prodhuesit vendorë dhe përmes granteve që po i japin për këta prodhues, po arrijnë që të rrisin prodhimtarinë bujqësore dhe cilësinë e saj. “Përmes përkrahjes së projekteve në sektorin e pemëtarisë, tashmë kemi arritur që të lehtësojmë punën e fermerëve të kësaj ane, duke iu mundësuar atyre edhe rritjen e sipërfaqeve të mbjella me mollë. MBPZHR-ja, sivjet në mbështetje të zhvillimit të kulturës së pemëve drufrutore, për kultivuesit e tyre ka ndarë subvencione prej 1,25 milionë euro dhe 2,5 milionë euro për grante investive”, tha zëvendësministri Krasniqi.
Ai tregoi se këtë vit, pemishtet me afër 150 hektarë mollë në Kovragë, pritet të sjellin rendiment prej mbi 2 milionë kilogramë mollë.
Nënkryetari i komunës së Istogut, Lulzim Blakaj, theksoi se kjo komunë në vazhdimësi i ka përkrahur prodhuesit bujqësor dhe këtë tha se po vazhdojnë ta bëjnë edhe gjatë këtij viti, me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të këtij sektori.
Ndryshe, ky manifestim është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Komuna e Istogut dhe Shoqata “Pema”.
Sipas të dhënave zyrtare, në gjithë territorin e Kosovës, sektori i pemëve përfshin një sipërfaqe prej 8785 hektarë, ndërsa vetëm me kulturën e mollës janë të mbjellë 2076 hektarë.