Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në bashkëpunim me ministrinë e Arsimit dhe atë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit me rastin e shënimit të 22 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Tokës, kanë organizuar një varg aktivitetesh, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka kërkuar më shumë kujdes nga nxënësit sa i përket ruajtjes së ambientit ku ata jetojnë.
Kërkesë ajo pati edhe për mësimdhënësit, duke kërkuar nga ta që të vazhdojnë me aktivitet që qëllim kanë rritjen e vetëdijesimit për ruajtjen e ambientit.
“Për mua është kënaqësi që sot nga këtu po përcjell një mesazh për rëndësinë e ruajtjes së tokës. E di që fëmijët janë ata që kujdesën më së shumti për tokën”.
“Jam e vetëdijshme për roli dhe rëndësinë e mësimdhënësve andaj ju inkurajoj që të vazhdoni aktivitete me punën e jashtëzakonshme që bëni me vizatime që arrihet vetëdijesimi për ruajtjen e ambientit”.
“Viti që kaluam situata me pandeminë na ktheu në vëmendje se sa e rëndësishme është ta kemi shëndetit ta ruajmë ambientin, të mbjellin pemë”.
Rineta Jashari, shefe e kabinetit të ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Liburn Aliu, tha se çdo dite duhet që të punohet në ruajtjen e tokës e jo veç në ditë si 22 prilli kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës.
“Më lejoni të ju përshëndes në emër të ministrit Aliu dhe të ju falënderoj për një organizim të tillë për ditën e tokës”.
“E kam një mesazh që Dita e Tokës është çdo ditë dhe jo të bëjmë vetëm për ditën ndërkombëtare të saj, andaj duhet të veprojmë tani. Ta ripërtërijmë tokën tonë”.
përderisa Sofije Bonjaku, drejtoreshë e shkollës “Hasan Prishtina”, përveç që bëri thirrje për ruajtje të tokës pret që shumë shpejtë të marrë fund pandemia, për t’u rikthyer bukurive natyrore që ka vendi, raporton EO.
“Kjo ditë është një ngjarje shumë e rëndësishme për planetin tonë që shënohet në mbarë botën. Kjo festë mjedisore është mundësi që shtyjnë të mendojmë për efektet negative të shkatërrimit të mjedisit në nivel lokal e global”.
“Me 22 prill 2021 planetin tokë po përballen me pandeminë andaj dëshirojmë një të ardhme pa maska e dorëza. Të marr fund kjo e t’u rikthehemi bukurive tona natyrore”.