Komuna e Prishtinës së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë organizuar një aktivitet me fëmijë të shkollave fillore më qëllim mësimin bazik të ngasjes së biçikletës duke u referuar në shenjëzimin adekuat dhe rregullat themelore të ngasjes, raporton Ekonomia Online.
Ndonëse numri i fëmijëve ishte i vogël, autoritetet komunale thanë se synim mbetet krijimi i më shumë hapësirave për biçikleta dhe lirimi i trotuareve për qytetarët.
Asamblisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajçinovci, aktiviteti ka filluar në orët e hershme të mëngjesit dhe se linjat e trafikut urban kanë qenë falas për nder të “Ditës Ndërkombëtare pa Makina”.
“Ky aktivitet ka ndërlidhjen e aktiviteteve të përgjithshme, ku kemi filluar në mëngjes me lëvizjen me biçikleta nëpër qarkoren e qytetit e që synojmë që ta bëjmë edhe në të ardhmen”.
“Sigurisht që nuk është e mjaftueshme por që vetëdijesimi i ngasësve me biçikleta edhe të qytetarëve nëpër trotuare, kjo qeverisje e re po synon t’i lirojë”, tha ai.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, tha se synim i tyre përdorimi sa më i madh i biçikletave.
“Si administratë e re është shumë e rëndësishme me pas aktivitete të tilla me i vetëdijesuar dhe në të njëjtën kohë me i inkurajuar që ata me përdorë mjete tjera të udhëtimit”, tha ai.