Shënohet Java e Evropës, 11-vjeçari Ledion Halitaj shpallet “Evropiani i Vitit”

Prishtinë | 04 Maj 2023 | 21:00 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka nisur aktivitetet për shënimin e 9 Majit – Ditës së Evropës. Në një ceremoni mbajtur në Bibliotekën Universitare, është ndarë dhe çmimi “Evropiani i Vitit”, i cili sivjet shkon për një kitarist 11-vjeçar, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Dita e Evropës paraqet një datë të rëndësishme. Sipas tij, BE-ja nuk është vetëm bashkim politik dhe ekonomik, por ajo promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin. Ndërsa ka theksuar se fokusi i BE-së është kthyer sërish në Ballkanin Perëndimor.

“Po e festojmë Ditën e Evropës, në një situatë jo edhe aq të mirë, e cila po shkaktohet nga lufta Rusi-Ukrainë. Por, BE-ja ka qenë e shpejtë në reagimin e saj, edhe pse patëm probleme ekonomike, si rritjen e çmimeve. Fokusi ynë është kthyer përsëri edhe në Ballkanin Perëndimor. Në këto vite sfiduese përmbyllëm me sukses tri paketa të ndihmës për Kosovën, të cilat kapin shifrën e përgjithshme prej 200 milionë eurosh. Jam shumë krenar edhe për liberalizimin e vizave, që është një arritje e Kosovës, por posaçërisht e qytetarëve. Mendoj se mund të jemi krenarë edhe për procesin e dialogut dhe zhvillimet e fundit. Mendoj se edhe në këto kohë të vështira, BE ka qenë e fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë”.

“9 Maji paraqet një pikë të rëndësishme për Evropën dhe një mundësi për të gjithë evropianët. Kjo bëhet edhe me e rëndësishme pasi ne jemi të përkushtuar në mbrojtjen e paqes. BE nuk është vetëm bashkim politik dhe ekonomik, por ajo promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin”.

“Në Ballkanin Perëndimor BE luan një rol parcial në ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve. Njëkohësisht, BE-ja mbetet një partner kyç për rajonin dhe ndihmon Ballkanin Perëndimor. Këtë vit nga BE-ja u ndanë miliona euro grante për t’i ndihmuar vendeve të Ballkanit që të dalin nga kriza”.

“Dje morëm edhe një lajm të mirë: 38 operatorë të komunikacionit janë dakorduar që t’i ulin çmimet për ‘roaming’. Është kënaqësi që tani mund të flas për liberalizmin e vizave, edhe pse ka zgjatur shumë si proces. Që nga 1 janari 2024 kosovarët mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së. BE-ja luan rolin kyç edhe në dialog dhe është e rëndësishme që dialogu të vazhdojë me lehtësimin e BE-së”, tha ai.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij, tha se Kosova e ka vendin ne Evropë.

“Kam pasur një përvojë interesante dhe dua të ndaj me ju. Vajza ime 7-vjeçare po mësonte tokën dhe kontinentet. Me të e blemë një glob dhe po ia tregoja 7 kontinentet. Gjithçka shkoi shumë mirë derisa erdhëm në Evropë, sepse ajo më tha: ‘Baba a nuk po të duket edhe ty që Evropa nuk është kontinent’. ‘Po pajtohem’, i thashë, ‘nuk është tamam kontinent’. Më pyeti nëse nuk është kontinent, atëherë çka është. I thashë ndoshta është një ide. Vazhdoi me pyetje pasuese. I thashë së pari duhet të rritesh dhe pastaj do ta kuptosh…”

“Kjo lidhje e kombeve të lira është si një lloj rilindje, rilindje nga hiri për shkak të luftërave të mëdha e miliona viktimave. Kur e shikojmë tani, pas këtyre viteve, është një arritje e madhe, ku secili dëshiron që të marrë pjesë, posaçërisht kombet e Ballkanit. Evropa si familje e vlerave ka këto parime të rëndësishme që i vë qytetarët në qendër, në dimensionin e mirëqenies dhe të drejtave të njeriut. Këto mendoj se janë edhe idealet e popullit tim. Mendoj që e kemi vendin në Evropë, në këtë familje. E di që nuk duhet të shkojmë në një vend të caktuar, por duhet të bëjmë shumë reforma dhe të përmbushim shumë kritere që të arrijmë atje. Kjo është ajo që jemi duke bërë tani dhe do të vazhdojmë të bëjmë”, tha ai.

Në këtë mbrëmje nga 5 personalitete të nominuara për çmimin “Evropiani i Vitit”, fitues me votat e qytetarëve që kanë pasur mundësi të votojnë me “like” në faqen e Zyrës së BE-së, u shpall 11-vjeçari Ledion Halitaj.

Kitaristit të ri, i cili tashmë ka fituar edhe në gara ndërkombëtare, çmimin ia ndau ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

Halitaj tha se është i lumtur për çmimin, për te cilin tha se do të jetë një shtytje edhe më shumë në arritjen e suksesit.

“Jam shumë lumtur që e fitova këtë çmim. Ky çmim do të më ndihmojë që të arrij edhe suksese të tjera. Dua ta falënderoj edhe familjen time si dhe mësuesin tim që më mëson të luaj me kitare”, tha ai.

Në këtë organizim merrnin pjesë dhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi; kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama; zv.kryeministri Besnik Bislimi, ambasadorë të vendeve të BE-së, prijës fetarë si dhe personalitete të tjera.

Të ngjashme