Skandale të shumta e kanë përcjell shërbimin e jashtëm në Kosovë, e sidomos kohët e fundit. Madje gjendja po konsiderohet kaotike dhe kjo si rezultat i qeverisjeve të njëpasnjëshme.
Afrim Hoti, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, vlerëson se shërbimi i jashtëm momentalisht po shërben vetëm si dekor dhe asgjë tjetër.
Hoti i tha Ekonomia Online se shërbimi i jashtëm është më shumë akomodim i njerëzve partiak, familjarëve të politikanëve që nuk kuptojnë nga diplomacia. Prandaj ai thotë se kjo po ndikon që vendi të mos ketë njohje qe një kohë të gjatë.
“Brishtësia dhe mungesa e konsultimit tonë të jashtëm ose situata kaotike në shërbimin tonë të jashtëm nuk është rezultat i qeverisjes së fundit, po është rezultat i qeverisjeve të njëpasnjëshme që kanë ardhur në Kosovë e që në fakt nuk kanë prodhuar asgjë tjetër”.
“Përpos paaftësi për ta prezantuar në mënyrë të duhur për të fituar pozicionin që vërtet Kosova ka në arenën ndërkombëtare dhe si rezultat eventualisht të ishte ndonjë të kishim ndonjë njohje. Në aktualitetin e tanishëm shërimi i jashtëm në shumë të madhe asgjë më shumë se dekor dhe akomodim i njerëzve partiak nepotisët, familjarë por jo të tillë që kuptojnë nga diplomacia”.
Duke folur për shefin e diplomacisë kosovare, Behgjet Pacollin, Hoti thotë se edhe pse ministri ka kontakte, ai nuk po mund të funksionojë brenda sistemit, duke krijuar kështu një shkëputje.
“Duhet të kemi parasysh që flasim për dy fenomene e para është ajo që njihet si ministër i Jashtëm si z.Pacolli për të cilin nuk kam dilema që ka kontakte dhe në raste të caktuar edhe i kanë sjellë Kosovës njohje. Ana tjetër e medalje është paaftësia e z.Pacolli që të vë një sistem dhe kjo është nëse e qartë dhe është shumë e dukshme që z.Pacolli nuk mund të funksionojë brenda sistemit dhe si rrjedhojë është krijuar kjo shkëputje në mes të ministrit dhe institucioneve të tjera Qeverisë, Kuvendit por edhe shoqërisë civile etj etj”.
Profesori Hoti thotë se qartësimi i raporteve me Serbinë do të sillte njohje nga BE-ja dhe ulëse në OKB.
“Nuk besoj që ka shtet që pret që të dialogu për ta njohur Kosovën, shumica e tyre tash kanë mbetur peng i qartësimit të raporteve Kosovë-Serbi dhe një marrëveshje eventuale për normalizim të marrëdhënieve do të sillte njohje nga BE, pastaj edhe ulëse në OKB e cila do të presupozonte njohjen nga gjithë komuniteti ndërkombëtar”.
Edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi thotë stërgjatja e procesit të dialogut me Serbinë shpeshherë po përdoret si argument kundër njohjeve të reja.
“Mendoj që duhet ta rishikojmë strategjinë e njohjeve, ta kemi parasysh që Serbia vazhdimisht po lobon për ç’njohje dhe kundër njohjeve të reja, sigurisht që proceset e stërzgjatura politike, siç janë: dialogu i stërzgjatur, shpeshherë përdoren si argument kundër njohjeve të reja dhe mendoj që këto procese duhet të përmbyllen në mënyrë që Serbia në rend të parë të njeh Republikën e Kosovës të kemi njohje reciproke dhe pastaj të ecim tutje. Poashtu mendoj që në fokus duhet të jetë anëtarësimi ynë në organizata ndërkombëtare dhe këtu me theks të veçantë në OKB”.
Edhe pse kërkon që të ketë strategji të qartë të njohjeve ajo thotë se gjithçka është më dinamike në këtë periudhë. Ajo thotë se duhet t’i bëhet presion BE-së që të arrihet edhe njohja nga pesëshja e unionit.
“Në proces e sipër intensiteti i njohjeve bie për shkak që shtetin lindin dhe fillon procesi i njohjeve dhe bashkëpunimit reciprok, i hapjes së ambasadave dhe konsullatave dhe në vitet e para, gjithçka është më dinamike dhe intensive pastaj ky intensitet bie dhe ajo çka unë e shoh me shqetësim është fakti që ne ende nuk jemi njoftë nga 5 shtete të Bashkimit Evropian dhe këtu duhet të fokusohemi dhe të kërkojmë nga BE-ja që të ketë një zë unik dhe të loboj më shumë në mënyrë bilaterale tek shtete veç e veç në mënyrë që Kosova të gëzojë pas kaq viteve njohjen komplet nga Bashkimi Evropian që BE-ja të ketë një politikë unike në raport me Republikën e Kosovës”.
Kurse deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë se mosnjohjet kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes dhe skandaleve të kësaj Qeverie.
Sipas tij, pozita e Kosovës është dëmtuar për fat të keq për shkak të tre liderëve aktual presidentit, kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit, raporton EO.
“Mosnjohjet kanë ardhur si pasojë edhe e keqqeverisjes e skandaleve të ndryshme, por mbi të gjitha perceptimit negativ dhe imazhit të keq e cila e krijuar kjo Qeveri edhe tek shtetet e tjera edhe ato njohës perëndimore, por edhe te ato që kanë hezituar që deri tash ta njohin Republikën e Kosovës”.
“Pozita tash është dëmtuar për fat të keq për shkak të tre liderëve aktual presidentit, kryeministrit dhe të kryetarit të Kuvendit dhe ju e keni pa që vet mos pranimi i tyre në vizita bilateral tregon qartë se këta njerëz janë të papranueshëm për shkak të keqqeverisjes dhe skandaleve të prodhuara, por edhe temave të tjera të cilat nuk janë harmoni në botën demokratike”.
“Mendojmë që këtë njerëz duhet të ndërrohen kjo logjikë qeverisës duhet të ndryshojë dhe të vijën në shprehje vlerat mbi të gjitha njerëz profesionistë që kanë edhe etik po që kanë edhe përgatitje për me udhëheq vendin drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”.