Shërbimi informativ i mjekësisë familjare në fazën e testimit

Prishtinë | 02 Gus 2016 | 13:11 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, së bashku me drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, vizituan Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kryeqytet, për të parë nga afër punët pas implementimit të pilot-projektit të Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh).

Ministri Rrahmani tha se Ministria e Shëndetësisë e ka kthyer vëmendjen nga Kujdesi Parësor Shëndetësor (KPSh), duke qenë që ky nivel i sistemit është shtylla e reformimit të shëndetësisë dhe se investimi në këtë nivel të kujdesit Shëndetësor është investim për një sistem të qëndrueshëm shëndetësor.

Ai ka vlerësuar punën që bëhet në KPSh të Prishtinës, ndërkohë që nga afër është njohur më vëllimin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrohen dhe fillimin e implementimit të fazës pilot të projektit për Sistemin e Informimit Shëndetësor, të cilin e ka vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishëm për sistemin shëndetësor.

“Implementimi i këtij sistemi para së gjithash do të jetë në funksion të fuqizimit të shërbimeve shëndetësore, ngritjes së performancës, sigurimit të informatave të rëndësishme për indikatorë dhe patologji të ndryshme në kohë të shpejtë dhe të bazuar në evidencë dhe mbi të gjitha do ta ndihmojë reformimin e sistemit shëndetësor”, tha Ministri Rrahmani, i bindur se problemet e ndryshme teknike që mund të dalin gjatë kësaj faze të implementimit, do të adresohen e zgjidhen së bashku me autoritetet komunale të shëndetësisë së Prishtinës.

Drejtori Arben Vitia ka vlerësuar se kjo vizitë tregon kujdesin që ministri Rrahmani tregon për Kujdesin Parësor Shëndetësor. Ai e ka njoftuar ministrin  me investimet e bërë në këtë nivel të Kujdesit Shëndetësor dhe gjithashtu edhe me sfidat që janë shfaqur në këtë fazë të implementimit të projektit pilot të SISh-it.

“Vizita në këtë qendër tregon interesimin e ministrit për kujdesin karshi konceptit të mjekësisë familjare, ku e njoftuam me funksionimin e mjekësisë familjare. Sa i përket shërbimit informativ të mjekësisë familjare është në fazën e testimit, por kemi probleme të natyrës infrastrukturore, ky sistem do të na mundësojë lehtësim në kërkesat ndaj pacientëve”, ka thënë Vitia.

Gjatë kësaj vizite, ku është diskutuar edhe për tema si për Spitalin e Prishtinës, edukimin e vazhduar profesional, resurset humane dhe tema të tjera, sikurse edhe për furnizimin me barna nga Lista Esenciale, që nga drejtuesit e QKMF-së dhe dr. Vita u vlerësua shumë i mirë.

“Zakonisht furnizimi nga MSh në mënyrë permanente arrin 65-70% dhe nga DSHMS i Komunës furnizohemi me 25-30%, kështu që pothuajse në vazhdimësi Lista Esenciale e barnave është e mbuluar shumë mirë”, ka bërë të ditur në takim dr. Merita Brovina.

Pas vizitës së disa departamenteve në QKMF, ministri Rrahmani me bashkëpunëtorë ka vizituar edhe QMF-7 në lagjen Kalabria (ish-Emshiri) ku nga afër është parë funksionimi i mirë i implementimit të Sistemit të Informimit Shëndetësor në këtë qendër.

Të ngjashme