Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shprehur shqetësimin “për deklaratat dhe akuzat e pabaza” të adresuara nga Vetëvendosje ndaj zyrtarëve të Shërbimit Korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan.
Shërbimi Korrektues i Kosovës thotë se nuk ka asnjë “terrorizim” apo sjellje të pahijshme të zyrtarëve korrektues ndaj të paraburgosurve.
Të paraburgosurit nuk “po enden nëpër zyra të ndryshme” siç po pretendon Lëvizja Vetëvendosje, por po dërgohen për ekzaminime të rregullta si pjesë e procedurave të paraburgimit, thuhet në sqarim të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Shërbimi Korrektues ka marrë masa shtesë mbikëqyrëse dhe të kujdesit ndaj të paraburgosurve dhe kujdesi i shtuar i zyrtareve korrektues është në funksion të sigurisë së të paraburgosurve dhe asnjëherë nuk ka tendenca keqtrajtimi.
Për hir të transparencës, Ministria e Drejtësisë fton Zyrën e Avokatit të Popullit dhe KMDLNJ-në që të bëjnë vizita në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan dhe të verifikojnë gjendjen e të paraburgosurve dhe sjelljet e zyrtarëve korrektues.