Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) me një ceremoni solemne ka shënuar 20-vjetorin jubilar të themelimit, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se Shërbimi Korrektues në Kosovë tash është më profesional. Ai ka përmendur edhe rritjen e pagave në nivel vendi, që prek edhe Shërbimin Korrektues.
“Sistemi i shërbimit të ligjit në Kosovë e ka Shërbimin Korrektues si një nga hallkat shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme. ShKK nga themelimi e deri më sot është profesionalizuar dhe ka arritur standardet e Shërbimeve Korrektuese euro-perëndimore”.
“Qeveria ka rritur buxhetin për institucionet e rendit dhe ligjit njëkohësisht për drejtësi që prek edhe Shërbimin Korrektues. Ka bërë investime në infrastrukturë dhe ka rritur numrin e personelit të gardianëve, ka rritur pagat në nivel me institucionet tjera dhe kjo qasje e Qeverisë i siguron shërbim të pavarur dhe modern”, ka thënë Haradinaj.
Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi, e nisi fjalimin e tij me një minutë heshtje në nderim për viktimat nga termet në Shqipëri.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës është themeluar menjëherë pas luftës, më 5 nëntor të vitit 1999, fillimisht me hapjen e Qendrës së Paraburgimit në Prizren. ShKK është agjenci ekzekutive në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë dhe në radhët e veta numëron mbi 1500 veta”.
“Si çdo institucion tjetër në Kosovë edhe ShKK ka pasur vështirësitë e veta si infrastrukturore, por edhe të tjera. Në aspektin profesional të stafit jemi mbështetur nga institucionet shtetërore dhe ndërkombëtare të cilët në vazhdimësi kanë përkrahur ShKK-në që në pajisje gjithashtu edhe në trajnim”, ka thënë Thaçi.
Ministri në detyre i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se edhe përkundër sfidave të vazhdueshme Shërbimi Korrektues ka përmbushur me sukses mandatin e tij ligjor, raporton EO.
“Sot është ditë jubilar për Shërbimin Korrektues. 20 vjet rrugëtim dhe 20 vjet përkushtim për të ndryshuar mendësinë e ekzekutimit të sanksioneve penale nga ajo çfarë kishim para 20 vjetësh. Krahas Policisë dhe FSK-së, Shërbimi Korrektues ka qenë një ndër shtyllat e para të sigurisë së Kosovës së pasluftës”.
“Një ndër institucionet e para të mendësisë së re demokratike që ka respekt për të drejtat e njeriut dhe që siguron rendin duke zbatuar standardin e integritetit dhe e them se nuk ka qenë i lehtë ky rrugëtim ku pati shumë sfida të natyrave të ndryshme, por falë punës së këtij Shërbimi, ShKK ka ecur në hap me kohën drejtë modernizimit dhe përkushtimit për të përmbushur me sukses mandatin e vet ligjor”, ka thënë Tahiri.
Shërbimi Korrektues i Kosovës është themeluar menjëherë pas luftës në nëntor të vitit 199, fillimisht me hapjen e Qendrës së Paraburgimit në Prizren.
Personeli vendor ishte kryesisht staf që kishin punuar para lufte. Në maj të vitit 2000 për herë të parë rekrutohen personel korrektues të rinj në bazë të konkursit.