Ministria e Administratës Publike në Ditën Ndërkombëtare të Shërbimit Civil, ka organizuar ceremoninë e shënimit të kësaj ditë për të gjithë shërbyesit civil të vendit.
Në këtë ceremoni u tha se Ministria e Administratës Publike është e fokusuar të ndërtojë administratë efikase për qytetarët dhe se synimi i përbashkët është krijimi i shërbimit efikas të qëndrueshëm dhe jo të ndikuar politikisht, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Administratës Publike Mahir Yagcilar tha se vlerëson lart punën e shërbyesve civilë kundrejt qytetarëve.
“Qeveria e Kosovës gjegjësisht MAP është e fokusuar të ndërtojë një administratë efikase. Një ndër proceset më kryesore është reformimi. Synimi ynë i përbashkët është të krijojmë shërbim efikas dhe të qëndrueshëm dhe jo të ndikuar politikisht. Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve është prioritet i Qeverisë dhe Administratës Publike”, ka thënë ai.
Drejtori i Departamentit të Administrimit të Shërbimit Civil, Tefik Mahmuti tha se shërbimi civil është një nga çështjet kryesore për të gjithë.
“Aktualisht shërbimin civil e përbëjnë 40 për qind femra e 60 për qind meshkuj. Krijimi i një shërbimi civil i qëndrueshëm ka qenë në agjendë të MAP. Viteve të fundit janë bërë reforma të vazhdueshme.”, ka thënë ai.
Shkëmb Manaj, kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil tha se shërbimi civil është njëra prej segmenteve kryesore të MAP-it që ka rol kyç zhvillimin e gjithëmbarshëm.
“Këshilli është angazhuar që të zbatojë legjislacionin për të garantuar që ky shërbim është i paanshëm. Gjatë këtyre viteve të fundit kemi pasur numër të ankesave në Këshill. Ankuesit janë të të gjitha komuniteteve dhe të të gjitha gjinive”, ka thënë ai.
Ai tha së shërbimi civil i Kosovës ka arritur pjekurisë dhe tani jemi në kohë të ndryshimeve qeveritare dhe pres që të mos ketë ndërhyrje në shërbimin civil dhe të vazhdohet njëjtë sikurse ka qenë deri më tani.
Ndërsa, Mursel Zymberi kryetar i Sindikatës së Pavarur të Kosovës të Shërbimit Civil, kritikoi kryeministrin në detyrë Isa Mustafën, për të cilin tha se me mos prezencën e tij injoroi shërbyesit civilë.
Ai tha se janë të shqetësuar për injorancat që iu ka bërë qeveria. Ai kishte edhe një mesazh për Qeverinë e ardhshme, raporton EO.
“Me një sjellje të tillë çfarë ka ndodhur deri tani nuk do të ketë administratë të dëgjueshme. Në fushata unë jam thirr me nënshkrua marrëveshje bashkëpunimi sikurse sindikatat tjera por nuk kam shkuar”, ka thënë ai.
Sipas tij diferenca e pagave në Kosovë e kalon 50 përqindëshin dhe kjo është shqetësuese.
Ai ka thënë se shpreson se do të kemi organizim të shërbyesve civil dhe mos të mbesin nën mëshirën e fatit të individëve të caktuar.
Në fund për të gjithë shërbyesit civil të dalluar u ndanë mirënjohje.
23 Qershori-Dita e Shërbyesve Civilë, në botë ka filluar të shënohet me vendim nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 20 dhjetor 2002, kur kjo ditë është caktuar si datë tradicionale për shënimin e Ditës së Kombeve të Bashkuara për Shërbyesit.
OKB-ja, me këtë rast, inkurajoi vendet anëtare, në mënyrë që nga viti 2003 të organizojnë ngjarje speciale për këtë ditë.