Bilall Sherifi nga Nisma Social Demokrate komentoi tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se shëndeti i liderit dhe funksionarëve të VV-së vlejnë më shumë se jeta e qytetarëve të tjerë, qofshin ata edhe militantë të VV-së.
Ai tha se është e drejtë e secilit për manifestim demokratik. Mirëpo, përpara rrezikut që i kanoset njerëzimit nga virusi COVID-19, të gjitha shoqëritë e demokracive perëndimore kanë ndërmarrë masat e nevojshme që të shmangin mundësinë e përhapjes së virusit.
Sherifi theksoi se gjatë periudhës kur ishin në pushtet, qoftë edhe si “Qeveri në Detyrë”, Albin Kurti dhe udhëheqësit e tjerë të VV-së aplikuan rekomandimet e OBSH-së, madje edhe në rastet kur militantët e tyre duhej të protestonin duke shënjuar në rrugë shenjat e distancës së nevojshme ndërmjet protestuesve.
Njoftimi i plotë:
Jeta dhe shëndeti i liderit dhe funksionarëve të VV-së vlejnë më shumë se jeta e qytetarëve të tjerë, qofshin ata edhe militantë të VV-së!
Matja e dyfishtë me kut të dyfishtë nga ana e VV-së në rastin e pandemisë! E drejta për manifestim është e drejtë e patjetërsueshme në sistemet politike demokratike. Mirëpo, përpara rrezikut që i kanoset njerëzimit nga virusi COVID-19, të gjitha shoqëritë e demokracive perëndimore kanë ndërmarrë masat e nevojshme që të shmangin mundësinë e përhapjes së virusit. Me sugjerim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë “distanca fizike” prej 2 metra u pa si mjet i domosdoshëm për të zvogëluar gjasat e infektimit me këtë virus.
Gjatë periudhës kur ishin në pushtet, qoftë edhe si “Qeveri në Detyrë”, Albin Kurti dhe udhëheqësit e tjerë të VV-së aplikuan rekomandimet e OBSH-së, madje edhe në rastet kur militantët e tyre duhej të protestonin duke shënjuar në rrugë shenjat e distancës së nevojshme ndërmjet protestuesve.
Por, nga momenti kur nuk janë në pushtet, VV-ja ndryshoi logjikën e matjes: protestat dolën në rend të parë në krahasim me mbrojtjen e popullsisë nga COVID-19!
Mirëpo, përveç kësaj matjeje me kut të dyfishtë, VV-ja aplikoi edhe një kut të dyfishtë për vlerën e jetës së njeriut! Sipas kësaj logjike të dytë të dyfishtë, jeta dhe shëndeti i liderit dhe funksionarëve të VV-së vlejn më shumë se jeta e qytetarëve të tjerë, qofshin ata edhe militantë të VV-së. Kjo dëshmohet me masat që u zbatuan për të siguruar distancën e domosdoshme të njerëzve që janë në krye të VV-së, në krahasim me popullin protestues!
Duke parë këtë logjikë djallëzore, nuk mund të përjashtohet mundësia që mosrespektimi i distancës ka qenë strategji e qëllimshme për të akuzuar qeverinë e re si përgjegjëse për rritjen eventuale të numrit të njerëzve të infektuar nga COVID-19!