Ideja për ndarje territoriale të Kosovës ka autorësi të pamohueshme serbe. Qëllimi i saj ka qenë që të parandalojë krijimin e shtetit të Kosovës në vitet e nëntëdhjeta dhe më vonë, para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008. Mbasandej, sidomos në vitin e fundit, që prej riaktualizimit të kësaj ideje prej liderëve serbë, të bashkëpunëtorëve e trashëgimtarëve të kasapit Millosheviq, Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit (nacionalistët e ekstremistët serbë Dobrica Qosiqi e Vojisllav Shesheli angazhoheshin për këtë ide në vitet e nëntëdhjeta, demokrati serb Zoran Gjingjiqi në fillimin e këtij shekulli), ndarja e Kosovës, e përkufizuar retorikisht si vendosje e vijës kufitare ndërmjet shqiptarëve e serbëve, synon zhbërjen e shtetit të Kosovës. Thjesht këtë e do Serbia.
Presidenti i Serbisë Vuçiq, i mbiquajtur ‘hipnotizuesi’ së voni prej një think tanku me renome (ESI), ia ka dalë të hipnotizojë Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, të cilët e kanë pranuar ndryshimin e kufijve ekzistues të Kosovës, me nënvariante të ‘shkëmbimit të territoreve’ apo të ‘korrigjimit të kufijve’ si pajisje retorike.
Asnjë politikan me peshë në Kosovë nuk e përkrah Thaçin në këtë aventurë të ndërrimit të kufijve të Kosovës. Edhe në Shqipëri Edi Rama është i vetëm. Thaçi e Rama kanë mediat e veta dhe këshilltarët, ndonjërin të përbashkët, që bëjnë tifozërinë për shefat e vet. Kjo u paguhet.
Parlamenti i Kosovës, Qeveria e Kosovës, partitë kryesore politike në qeveri e në opozitë, kanë kundërshtuar fuqishëm idenë e ndarjes së Kosovës që prej ringjalljes së saj në Serbi dhe prej riaktualizimit të saj në forume prej Vuçiqit e Thaçit. Shkëmbimi i territoreve u atribuohet si ide e përbashkët për zgjidhje përfundimtare presidentëve të të Kosovës e të Serbisë.
Ideja është e para dhe kjo për ndarje/këmbim territorial ka qenë dhe është me autorësi serbe, edhe kur ka ornamentet retorike shqiptare.
Samiti i ditës së sotme në Berlin, takimi i kancelares gjermane Merkel dhe presidentit francez Macron me udhëheqësit e Ballkanit, ka riafirmuar kundërshtimin gjerman, sikur edhe të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, për ndryshim të kufijve.
Presidenti i Kosovës ka relativizuar rëndësinë e takimit të sotëm, për më keq edhe peshën e Gjermanisë e të kancelares Merkel për Kosovën.
SHBA-të janë vendimtare, thotë Thaçi.
Është e vërtetë që SHBA-të kanë pasur e kanë rëndësi kyçe, vendimtare madje. Por kjo s’e bën të parëndësishme e jovendimtare Gjermaninë. Aq më pak kur kjo Gjermani mbetet, mbasiqë Britania e Madhe është duke dalë prej BE-së, përkrahësi më i madh i Kosovës së pavarur në kufijtë aktualë.
Presidenti Trump kërkon njohjen reciproke të Kosovës e Serbisë si themel të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve. Gjermania e kërkon njohjen e Kosovës në kufijtë aktualë.
SHBA-të nuk janë angazhuar, siç e ka thënë disa herë ambasadori amerikan në Kosovë, për këmbim të territoreve si pjesë të marrëveshjes. Nuk e kanë përjashtuar zgjidhjen apriori kur Vuçiqi e Thaçi, këta udhëheqës joproblematikë po të përdorim cilësorin e Thaçit për veten e Vuçiqin, i kanë lënë përshtypjen Uashingtonit se mund të biejnë në ujdi për të dhe madje të sigurojnë përkrahje te popujt respektivë.
Pra, Uashingtoni nuk e ka kërkuar prekjen e kufijve. Këtë e kanë bërë hipnotizuesi Vuçiq dhe të hipnotizuarit e tij. Këtë duhet ta dijnë partizanët medialë e spin doktorët e Presidentit Thaçit por edhe përkrahësit politikë të tij.