Në Berat është shfaqur sëmundja e fruthit. Disa pacientë janë paraqitur me simptomat e tij në Spitalin Rajonal.
Mjekja infeksioniste shpjegon se po priten analizat përfundimtare për disa pacientë të tjerë. Situata – sipas saj, – nuk është alarmante, por u bën thirrje nënave që të vaksinojnë fëmijët.
“Kemi disa raste me fruth, më konkretisht 3 raste te të rriturit, por nuk kemi te Pediatria. Ajo që më shqetëson është se duhet të rrisim shumë sensibilizimin e nënave të cilat ‘paragjykojnë’ bërjen e vaksinës. Ajo ka shumë vite që është në praktikë, shumë fëmijë e kanë bërë dhe padiskutim që duhet të kenë siguri të plotë se të gjithë fëmijët duhet të vaksinohen në kohën e duhur, me qëllim që të shmangen sëmundjet dhe pasojat e fruthit, të cilat ndonjëherë janë edhe fatale për jetën”, tha Valbona Papa, mjeke.
Sëmundja e fruthit nuk sjell ndërlikime për pacientët që janë të vaksinuar, por pasojat janë të rënda për ata që nuk janë vaksinuar. /tch