Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka reaguar ndaj propozimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës, duke e quajtur propozimin si hakmarrje e politikës ndaj zyrtarëve të Task Forcës.
IKD-ja thotë se shqyrtimi për këtë shfuqizim pa ndonjë konsultim publik, shihet si hakmarrës dhe se BE-ja ka kërkuar promovimin e punës të kësaj Task Force.
“Në këtë drejtim vendimi i Qeverisë për të shqyrtuar mundësinë e shfuqizimit dhe shpërbërjes së kësaj Task Force pa asnjë konsultim publik qoftë në rrafshin institucional apo në raport më partnerët ndërkombëtare dhe shoqërinë civile mund të shihet si hakmarrje e politikës ndaj zyrtarëve të kësaj Task Force. Për më tepër lidhur me punën e kësaj Task Force për çdo vit, Raporti i Progresit të Bashkimit Evropian, ka kërkuar që të promovohet puna e kësaj Task Force, duke përfshirë kërkesën që kjo Task Forcë të specializohet edhe më tutje për të ushtruar mandatin e saj në shërbim të PSRK-së”, thuhet në reagimin e IKD-së.
Tutje, IKD-ja deklaron se tendenca e Qeverisë për t’i shuar institucionet që veprojnë mbi 10 vite në luftë kundër korrupsionit, shihet si hakmarrje ndaj hetimeve që janë kryer.
“Në këtë drejtim, tendenca e Qeverisë së Kosovës për të shuar institucione që veprojnë për më shumë se 10 vite në luftën kundër korrupsionit, pa analizë dhe konsultim publik më akterët kompetent në Kosovë, shihet si hakmarrje e Qeverisë për hetimet e kryera nga kjo Task Forcë ndaj një numri të madh të anëtarëve të partive politike që kanë pozita udhëheqëse, e veçanërisht të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, raste të cilat kryesisht kanë dështuar në organet e ndjekjes dhe gjyqësorit”, thuhet mes tjerash në reagim.
Po ashtu IKD-ja ka thënë se shkarkimet e fundit të Qeverisë Hoti, është vendim ad-hoc dhe pa ndonjë analizë adekuate apo informim.
“Vendimi për shuarjen e kësaj Task Force hyn në vazhdën e vendimeve ad-hoc të Qeverisë dhe shkarkimit të Drejtorit të Policisë, Drejtorit të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Drejtorit të Doganave të Kosovës, pa analizë adekuate, pa informim adekuat të publikut lidhur me bazën mbi të cilat janë bazuar këto vendime dhe që në publik perceptohen si mjete për të kapur institucionet kryesore ligj-zbatuese në Kosovë që kanë kompetencë luftimin e korrupsionit dhe kriminalitetit”, thuhet në reagim.
Qeveria e Kosovës sot në agjendën e saj ka vendosur shqyrtimin e propozim-vendimit për shfuqizimin e Task Forcës që lufton korrupsionin, vendim i datës 26 shkurt 2020.