Një 43-vjeçar nga Zagrebi, me inicialet B. V., është dënuar me 10 muaj burg për kërcënim nga urrejtja.
Ai është akuzuar se më 10 shkurt të këtij viti në orën 12:50 në sheshin “Ban Jelaçiq” ka urinuar në një hapësirë para një lokali, dhe për këtë arsye bashkëpronari i farmacisë bimore aty pranë i është afruar dhe e ka pyetur atë çfarë po bënte, raporton “Index.hr”.
Ai e kërcënoi pronarin me vdekje dhe e ofendoi rëndë.
“Urinoj dhe do të urinoj ku të dua, ky është qyteti im”, është përgjigjur B.V., pas së cilës A.K është munduar që ta qetësojë situatën, duke i treguar se aty pranë janë hoteli i Dubrovnikut, kafeneja e qytetit dhe një tualet publik.
Pas kësaj, sipas aktakuzës, B.V., i vetëdijshëm se A.K ishte shqiptar, për shkak të intolerancës ndaj shqiptarëve, filloi t’i bërtasë:
“Çka do? Ardhacak! Unë e di shumë mirë kush je! Shko në Kosovë, Shqipëri, shipaç i qelbur! Shiptar m*, do të q* nënën shiptare! Do të të vras shiptar, unë jam BBB (Bad Blue Boys – tifogrupi i Dinamos, shën.red.) dhe tani do të kesh të gjithë BBB-në pas të cilët do të të gjejnë dhe do të të vrasin shiptarçiq kundërmues”.
Pas një mori fyerjesh, A.K ka marrë celularin për të thirrur policinë, por B.V. është nisur në drejtim të tij. Pasi një grua ka dalë nga farmacia, B.V i ka thënë vazhdimisht se është “kurvë shqiptare” dhe ka vazhduar ta kërcënojë A.K. Ai e ofendoi sërish dhe e quajti “shiptar të qelbur” dhe e kërcënoi se do ta vriste.
U pendua në gjykatë
Rrëfimi i të pandehurit, pendimi, falja dhe fakti se ai ishte në gjendje të dehur ishin rrethana lehtësuese. Gjykata e konsideroi rënduese faktin se B.V. u dënua disa herë për vepra me elemente dhune.
“Jam fajtor për atë që më akuzoni dhe jam penduar. Ajo që kam bërë është një ndërthurje e rrethanave budallaqe që kanë ndodhur dhe reagimet e mia krejtësisht të panevojshme ndaj atyre rrethanave”.
“Atë ditë isha nën efektin e alkoolit dhe më 14 qershor 2023 dola nga burgu pas vuajtjes së dënimit. Pas daljes nga burgu dhe deri në këtë ngjarje kam jetuar siç duhet, nuk kam hyrë në konflikt, kam punuar, nuk kam konsumuar alkool dhe drogë… Jam munduar të rregulloj jetën time”.
“Jam shpesh në kontakt me njerëz të kombësive të tjera që merren me folklor, madje tani jam në burg me dy shqiptarë. Kërkoj falje edhe një herë për atë që kam bërë”, tha në gjykatë B.V.