Shitjet e veturave të reja në Bashkimin Evropian ranë 76.3 % në muajin prill, deklaroi grupi tregtar (ACEA), duke e lidhur rënien e paparë nga viti në vit me kufizimet e vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri.
‘’Rreth 270,000 vetura të reja u regjistruan muajin e kaluar, nga 1.14 milion në prill të 2019’’, sipas Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA) në buletinin mujor.
“Muaji i parë i plotë me kufizimet në fuqi Covid-19 rezultoi në rënien më të fortë mujore të kërkesës së veturave që nga fillimi i regjistrimeve,” vuri në dukje ACEA. Në muajin mars, shitjet nga viti në vit ranë me 55.1 %.
Sektori i automobilave ka qenë një nga goditjet më të mëdha të pandemisë së re të koronavirusit, pasi bllokimet kanë ulur kërkesën e konsumatorit dhe detyruan mbylljen e tregtarëve të automjeteve dhe fabrikave në të gjithë Evropën.