Sulmuesi i ri i Manchester Unitedit, Odion Ighalo, nuk do të udhëtojë në Spanjë me skuadrën e tij të re për kampin stërvitore, pasi që klubi frikësohet se ai mund të hasë në probleme shkaku i coronavirusit
Manchester Unitedi frikësohet se sulmuesi Odion Ighalo nuk do të lejohet të kthehet në Angli për shkak të masave parandaluese që janë vendosur për të gjithë personat që kanë qenë në Kinë gjatë javëve të fundit. Kjo masë e prek Ighalon, i cili kishte luajtur për klubin kinez Shanghai Shenhua, para se të transferohej në Manchester United në ditën e fundit të muajit janar.
Autoritetet përgjegjëse në Kinë kanë lajmëruar se numri i të vdekurve nga koronavirusi është ngritur në 728, që kur filloi shpëndarja e këtij virusi në Kinë, gjatë muajit dhjetor.
Përderisa koronavirusi ka filluar të shpërndahet globalisht, shumë vende kanë vendosur kufizime në udhëtimet drejt dhe nga Kinë. Këto masa do të mundë ta komplikonin situatën për nigerianin, i cili i është bashkuar Manchester Unitedit në formë huazimi deri në fund të sezonit.
“Odion do të qëndrojë në Mançester pasi që ai ka arritur nga Kina gjatë 14 ditëve të fundit”, ka thënë Solskjaer për kanalin zyrtar televiziv të klubit, MUTV.
“Për shkak të situatës në Kinë, ne nuk jemi të sigurt nëse atij do t’i lejohej hyrja në Angli sërish, kështu që ai është duke qëndruar këtu dhe do të punojë me një trajner personal, e ka programin individual dhe mund t’i ndihmojë edhe familjes së tij të përshtatet në Angli”.
“Natyrisht se ai do të kishte dashur të vinte me lojtarët dhe t’i njoftohej me ta më mirë, por rreziku që të mos i lejohet hyrja sërish në Angli… nuk mund ta rrezikojmë këtë”.
Manchester Unitedi kthehet nga kampi stërvitor në Spanjë, ku po shkojnë gjatë kësaj periudhe të pushimit dimëror në Angli, për ndeshjen me Chelsean në Stamford Bridge më 17 shkurt, para ndeshjes së parë në fazën eliminatore të Ligës së Evropës kundër Club Brugge. /Gazeta Express/