Këtë vit, operatorët turistikë dhe hotelet bregdetare në Shqipëri po përballen me krizën e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ndërkohë që turistët vazhdojnë të anulojnë rezervimet e tyre. E ndërsa bregdeti “pret” pushuesit vendës dhe të huaj, këta të fundit duket se për një kohë të gjatë nuk do të mund ta shijojnë dot. Kjo situatë ka sjellë anulime dhe më pak të ardhura për sektorin .
Sipas operatorëve turistikë, pavarësisht faktit se pushuesit vendës dhe nga trojet shqiptare vijojnë të frekuentojnë bregdetin shqiptar, ata nuk mund ta zëvendësojnë turizmin e huaj . Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar në muajin qershor 2020 janë 364.574 persona . Krahasuar me Qershor 2019, ky tregues rezulton me rënie 66,3 %. Në Qershor 2020, hyrjet e shtetasve të huaj në vend janë 179.594.
Krahasuar me qershor 2019, ky numër ka rënë me 71,5 %. Referuar të dhënave të publikuara nga INSTAT, numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020 është 781.894 persona, duke rënë me 63,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Përgjatë gjashtëmujorit të parë 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 51,0 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Polonia me 95,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Sa shqiptarë dolën jashtë Shqipërisë.
“Situata është më e rënda në të gjithë historinë dhe në gjithë eksperiencën time. Nuk e di si do shkojë, por prenotimet janë shumë të ulëta, mundësia e udhëtimeve është e kufizuar vetëm për disa vende, kufizime për shtetasit të cilëve u lejohet që të udhëtojnë drejt Shqipërisë dhe për shtetasit shqiptarë që duan të lëvizin jashtë vendit”, thotë operatori i njohur turistik në Shqipëri, Besnik Vathi. Por, në këtë sezon turistik, Shqipëria ka humbur edhe emigrantët e saj. Kjo, për shkak të karantinës dyjavore gjatë kthimit në vendet e tyre ku jetojnë e punojnë.