Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka organizuar tryezën “Luftimi i informalitetit: Hapat e deritanishëm dhe rruga përpara”.
Aty u tha se shkalla e lartë e informalitetit vazhdon të mbetet një nga shqetësimet kryesore në mjedisin e të bërit biznes në Kosovë edhe dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, përkundër përpjekjeve dhe përparimit të dukshëm të shënuar në adresimin e këtij problemi, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i OEAK, Arian Zeka, tha se informaliteti përpos ndikimit të drejtpërdrejtë që ka në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e vendit, në masë të madhe ndikon në krijimin e një konkurrence të pabarabartë në treg, ku pala më e dëmtuar janë kompanitë serioze që njëherit janë edhe tatimpaguesë të rregullt.
“…përkundër përmirësimeve në legjislacionin tatimor përgjatë viteve pas shpalljes së pavarësisë, shifrat e larta të informalitetit vazhdojnë të mbeten shqetësuese dhe janë treguesi më i mirë se institucionet duhet të fuqizojnë kapacitetet njerëzore si dhe të shtojnë përpjekjet e tyre që të luftojnë këtë fenomen dhe të krijojnë kushtet për një konkurrencë të drejtë mes operatorëve”.
Zeka tha se fuqizimi i kapaciteteve për menaxhimin dhe mbledhjen e tatimeve nga brenda është i nevojshëm edhe para hyrjes në fuqi të zhvendosjes së mbledhjes së tatimit mbi vlerën e shtuar për brenda, që tashmë është paralajmëruar nga Ministria e Financave.
Ai tha shtoi se në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri të vendit, sipas informacioneve që janë marrë nga bizneset thuhet se kontrabanda në veri ka shënuar rritje.
Kurse drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, tha se shkalla e informalitetit arrijnë në 31.7 për qind.
Sipas tij, me bashkëpunimin e të gjitha institucioneve mund të arrijet që ulet shkalla e informalitetit në vend.
“Sistemi tatimor vlerësohet të jetë i thjeshtë. Vetëm puna e përbashkët me institucionet tjera mund të bëjmë të lehtë konkurrencën dhe luftimin e ekonomisë joformale. Roli i ATK është që të krijojë mundësi për trajtim të barabartë. Ne kemi arritur të shtojmë komunikimin me tatimpaguesit. Në të gjitha proceset kemi bashkëpunim me odat”.
“Kemi një ulje të vogël të informalitetit në Kosovë. Sipas raportit shkalla e informalitetit është 31.7 për qind në bruto produktin vendor. Ka rekomandime që zbrazëtira ligjore të eliminohen. Rekomandimi tjetër i rëndësishëm është ndryshimi i kuadrit ligjor që pagesat e pagave të kryhen përmes llogarive bankare”.
Hysen Lajqi, drejtor ekzekutiv i “Hib Petrol”, tha se shkalla e informalitetit është e lartë pasi ekonomia e Kosovës është e pafuqishme dhe jo konkurrente, raporton EO.
Sipas tij, cilësia e naftës duhet ta ketë një kontroll më të madh nga shteti.
“Shkalla e informalitetit të cilën e përmendi drejtori i ATK-së është e lartë pasi ekonomia e Kosovës është e pafuqishme dhe jo konkurrente. Duke u nisur nga kualiteti i produkteve të naftës shohim që ka pasur një rritje të madhe të importit dhe ne mendojmë që është një nga shkaktarët kryesorë të ndotjes. Këto e dëmtojnë ekonominë formale por edhe biznesin tonë. Cilësia e naftës duhet ta ketë një kontroll më të madh nga shteti”.
Kestrin Kumnova, përfaqësues i kompanisë për shitjen e pajisjeve fiskale “Gekos”, tha se nuk ka pasur gatishmëri nga institucionet për të përmbyllur procesin e fiskalizimit.
“Nuk ka pasur gatishmëri nga institucionet për të përmbyllur procesin e fiskalizimit. Problem kyç ka qenë tentativa për ndryshimin e urdhrit administrativ i cili do ta kthente në pikën zero procesin e fiskalizimit. Bizneset do të detyroheshin të paguanin 1000 euro kosto për fiskalizim të ri. Fiskalizimi duhet të përmbyllet në kompanitë që operojnë me vite të tëra dhe që ende nuk e kanë përmbyllur këtë proces”.