Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhurat personale do të fillojë nga periudha e muajit gusht. Kjo nënkupton se për shkak të tatimit të ndryshuar, në pagat e shtatorit do të dalin 6.8 euro më shumë për të gjithë të punësuarit.
Ditë më parë, hyri në fuqi Ligji për pagën minimale prej 250 eurosh, para se ajo të rritej në 350 me vendim të Qeverisë të mërkurën. Deri tash, kushdo që kishte pagë mbi 250 euro, deri në këtë vlerë paguante 6.8 euro tatim. Me ndryshime tatim deri në këtë vlerë s’do të ketë dhe të ardhurat rrjedhimisht do të rriten.
Në një njoftim të enjten në mbrëmje, ATK-ja ka bërë të ditur se aplikimi i shkallëve të reja për tatimin në të ardhura do të nisë nga periudha e gushtit. “Pra, deklarimi dhe pagesa e tatimit në paga për pagat e muajit gusht 2024 do të kalkulohet sipas shkallëve të reja tatimore të përcaktuara me Ligjin Nr. 08/L-142”, thuhet në njoftim.
Ligji për pagën minimale dhe shkallët tatimore ishte miratuar në korrik të vitit të shkuar, por ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga deputetë të opozitës. Në qershor, Kushtetuesja konstatoi që ky Ligj nuk e shkelë aktin më të lartë juridik të vendit, e të premten u publikua në Gazetën Zyrtare kur edhe hyri në fuqi menjëherë.
Ligji parasheh që në fund të çdo viti, Këshilli Ekonomiko-Social i propozon Qeverisë lartësinë e pagës minimale, të cilin e miraton më pas ekzekutivi.
Paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç. Pak ditë pasi hyri në fuqi ligji që e ngriti në 250 euro pagën minimale, Qeveria të mërkurën vendosi ta ngritë në 350 euro.
Edhe pas kësaj rritje, Kosova është vendi me pagën minimale më të ulët në Evropë.